Lidhje

Shqipëri, vullnetarë të shoqatës "Eko Mendje" ndihmojnë të varfërit


Shqipëri, vullnetarë të shoqatës "Eko Mendje" ndihmojnë të varfërit
Shqipëri, vullnetarë të shoqatës "Eko Mendje" ndihmojnë të varfërit

Në Shqipëri, shoqata e të rinjve vullnetarë "Eko Mendje" është vlerësuar si "Vullnetari i vitit 2024". Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, të rinjtë vullnetarë të "Eko Mendje" prej disa vitesh punojnë në drejtim të ruajtjes dhe promovimit të mjedisit natyror si dhe mbështetjes së familjeve të varfëra dhe të moshuarve që jetojnë të vetmuar. Në prag të Vitit të Ri të rinjtë vullnetarë kanë mbledhur ndihma ushqimore nga qytetarë, biznese dhe organizata humanitare, të cilat po ua shpërndajnë familjeve në nevojë.

Shqipëri, vullnetarë të shoqatës "Eko Mendje" ndihmojnë të varfërit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

Në këto ditë të fundvitit, një grup të rinjsh vullnetarë të shoqatës “Eko Mendje” po trokasin në dyert e familjeve të varfëra në Shkodër duke shpërndarë pako me ndihma ushqimore të dhuruara nga qytetarë, biznese dhe organizata humanitare.

Është një traditë e krijuar vitet e fundit nga vullnetarët e “ Eko Mendje”, në përpjekje për t’u qëndruar afër familjeve të varfëra dhe gjyshërve që jetojnë të vetmuar.

“Në prag festash ne mundohemi që të japim kontributin tonë vullnetarë, në çdo shtresë dhe në çdo fushë. Dhe, këtë herë për të mbledhur ushqimet për familjet në nevojë. Gjithmonë festat simbolizojnë tavolinën plot si me ushqime, ashtu edhe me familjarët që bashkohen, por shikojmë se disa familje nuk i kanë këto mundësi ekonomike, por edhe sociale. Ka edhe familje me probleme shëndetësore ose me fëmijë jetimë, ndaj ne mundohemi me mbledh sa më shumë ushqime dhe për të dhënë kontributin tonë të vazhdueshëm si vullnetarë”, tregon Mirsad Basha, nga shoqata “Eko Mendje”.

Myzafer Kraja jeton vetëm me gruan e tij në një shtëpi te rrënuar, jo shumë larg qendrës së qytetit të Shkodrës që, në këto ditë të fundvitit, shkëlqen nga atmosfera festive.

“Këtu kam lindur dhe jam rritur. Ka qenë shtëpia e vjetër që u shemb dhe kam bërë këtë shtëpinë tjetër duke mbledhur tulla të përdorura me biçikletë. Kështu me halle”, tregon ai.

Mes vullnetarëve të “Eko Mendje" është edhe ekonomistja Atalanta Kraja, e cila është përfshirë bashkë me familjen e saj në aktivitetet që zhvillon shoqata, si në fushën e mbështetjes për shtresat në nevojë, ashtu edhe në drejtim të mbrojtjes së mjedisit natyror.

“Unë kam 6-7 vite që jam pjesë e “Eko Mendje” së bashku me familjen. Me burrin dhe fëmijët mundohemi që të përfshihemi sa më shumë në këto aktivitete që të percjellim një frymë të mirë vullnetarizmi edhe tek fëmijët, por edhe që të jemi afër njerëzve në nevojë sado pak me ndihmën tonë”, tregon ajo.

Ditët e fundit, të rinjtë vullnetarë të “Eko Mendje" u nderuan nga organizata “New Vision” me çmimin “Vullnetari i vitit 2024”, një çmim që respekton kontributin e tyre për mbështetjen e shtresave në nevojë, sidomos të moshuarve që jetojnë të vetmuar, ashtu edhe për mbrojtjen dhe promovimin e mjedisit natyror përmes mbjelljes së pemëve apo pastrimit të lumenjve dhe liqenit nga mbeturinat, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme për komunitetin.

“ Një çmim i tillë do të thotë se ti je duke vepruar mirë. Dhe kur ti vepron mire atëherë edhe të tjerët munden me u perfshi dhe me të ndihmu sa më tepër. Ne mundohemi me e përhapë sa më shumë frymën e vullnetarizmit dhe altruizmit dhe, na vjen shumë mire që, me qindra persona na bashkohen, japin ndihmën e tyre atje ku e ndjejnë dhe ku munden me dhanë më shumë”, thotë Mirsad Basha, nga shoqata “Eko Mendje”.

Shqipëria ka miratuar në vitin 2016 ligjin “Për Vullnetarizmin” , por ai është pak i njohur dhe zbatuar. Në zonat rurale, ku jeton një pjesë e madhe e popullsisë dhe ku problemet ekonomike dhe sociale janë më të shumta, vullnetarizmi thuajse nuk ekziston.

Ndërsa janë të pakta rastet kur, në mënyrë vullnetare, banorët apo komunitetet lokale përfshihen në përballimin e emergjencave natyrore si përmbytjet, zjarret në pyje apo bllokimet e rrugëve nga dëbora.

XS
SM
MD
LG