Autoritetet në Kosovë mbyllën të hënën dy ndërmarrje publike paralele në veriun e banuar me shumicë serbe, që vepronin nën sistemin e Serbisë, duke nxitur reagimin e Beogradit, i cili tha se ky është një veprim që bie ndesh me marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Zyrat e Drejtorisë për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtorisë për Tokën Ndërtimore vepronin në një ndërtesë në Mitrovicën e Veriut.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi në llogarinë e tij në Facebook se është mbyllur një institucion, i cili “jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre...Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, shkroi ministri Sveçla.
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha në një reagim se “po uzurpohen” institucionet e Serbisë.
“Rreth 70 punonjës të këtyre institucioneve janë legjitimuar dhe më pas janë urdhëruar të largohen zyrat, pasi atyre u është thënë se nuk kanë çfarë të kërkojnë atje”, thuhet në reagim në të cilin u bëhet thirrje diplomatëve ndërkombëtare në Kosovë të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe “të parandalojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në përpjekjet e tij për të nxitur konflikte”.
Përgjatë këtij viti autoritetet mbyllën zyrat e institucioneve paralele serbë në veri sic janë Posta e Serbisë, disa banka dhe zyra komunale, në kuadër të përpjekjeve për të për të shtrirë sovranitetin edhe në atë pjese të vendit.
Veprimet janë kritikuar nga diplomacia perëndimore e cila ngulë këmbë që çështjet e hapura të zgjidhen në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Një pjesë të institucioneve të mbyllura Serbia i ka hapur në afërsi të vendkalimeve kufitare me Kosovën.