Njoftimet paraprake sinjalizojnë se një sistem anti-ajror rus mund të ketë goditur avionin e kompanisë ajrore të Azerbajxhanit, që u rrëzua në Kazakistan të mërkurën, tha një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters të enjten.
Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nëse hetimet paraprake rezultojnë të jenë të sakta, ato do të nënvizonin qasjen moskokëçarëse të Rusisë që nga fillim i sulmit në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.
Më herët katër burime në dijeni të gjetjeve paraprake të hetimit që po kryejnë autoritetet e Azerbajxhanit thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se forcat ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan avionin e kompanisë ajrore të Azerbajxhanit në Kazakistan, duke shkaktuar vdekjen e 38 personave.
Azerbajxhani shpalli të enjten ditë zie kombëtare për viktimat avionit të rrëzuar të mërkuren, ndërsa po shtohen spekulimet mbi arsyet e rrëzimit.
Avioni “Embraer 190” i kompanisë ajrore të Azerbajxhanit të mërkuren u nis nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku për në qytetin rus të Groznit. Ai u devijua për arsye ende të paqarta dhe u rrëzua ndërsa po tentonte të ulej në Kazakistan.
Njëri nga katër burimet tha për agjencinë e lajmeve Reuters se “askush nuk pretendon se rrëzimi ishte i qëllimshëm. Megjithatë, duke marrë parasysh faktet, Baku pret që pala ruse të pranojë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit azerbajxhanas”.
Avioni u rrëzua rreth 3 kilometra nga qyteti Aktau, pasi kishte kaluar Detin Kaspik. Pamjet e filmuara me telefona celularë, të publikuara në internet tregonin avionin duke bërë një zbritje të pjerrët përpara se të përplasej në tokë. Pamjet e tjera treguan një pjesë të trupit të tij të shkëputur nga krahët dhe pjesën tjetër të avionit të shtrirë në bar.
Prokurori i Ministrisë së Transportit në Kazakistan tha se hetimet ende nuk kanë nxjerrë një përfundim rreth rrëzimit të avionit. Zëvendës Kryeministri i Kazakistanit, Qenat Bozymbaev tha se ai nuk mund të konfirmonte ose mohonte pretendimet se avioni është rrëzuar nga forcat ajrore ruse.
Të enjten, flamujt kombëtarë u ulën në gjysmë shtizë në të gjithë Azerbajxhanin, trafiku në të gjithë vendin u ndal në mesditë dhe u dëgjuan sinjale nga anijet dhe trenat ndërsa vendi mbajti një minutë heshtjeje mbarëkombëtare.
Duke folur në një konferencë shtypi të mërkurën, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se ishte shumë herët për të spekuluar mbi arsyet e rrëzimit, por tha se moti e kishte detyruar aeroplanin të ndryshonte kursin e planifikuar.
Autoriteti i aviacionit civil të Rusisë, Rosaviatsia, tha se informacionet paraprake tregojnë se pilotët u detyruan të devijonin avionin drejt qytetit Aktau pas një goditjeje nga një tufë zogjsh.
Sipas zyrtarëve në Kazakistan, në bordin e avionit ishin 42 shtetas të Azerbajxhanit, 16 rusë, gjashtë shtetas të Kazakistanit dhe tre të Kirgistanit. Ministria ruse e Emergjencave të enjten dërgoi nëntë të mbijetuar rusë për trajtime mjekësore në Moskë.
Pas fillimit të një hetimi zyrtar të rrëzimit të avionit, dolën njoftime të ndryshme mbi shkakun e rrëzimit, duke përfshirë pretendimet se vrimat në bishtin e avionit tregojnë se ai mund të jetë goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Forcat ruse të mbrojtjes ajrore mund të kenë ngatërruar avionin me dronët ukrainas.
I pyetur në lidhje me pretendimet se avioni ishte qëlluar nga armët e mbrojtjes ajrore, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se "do të ishte gabim të bëheshin hipoteza përpara se hetuesit të jepnin verdiktin e tyre".
Kryetari i parlamentit të Kazakistanit, Maulen Ashimbayev, paralajmëroi gjithashtu kundër teorive të nxituara bazuar në fotot e fragmenteve të avionit, duke i quajtur pretendimet për goditjen e tij me armë të mbrojtjes ajrore të pabaza dhe "joetike".
Zyrtarë të tjerë në Kazakistan dhe Azerbajxhan kanë shmangur në mënyrë të ngjashme komentet mbi shkaqet e rrëzimit të avionit, duke thënë se duhet të pritet raporti përfundimtar i hetuesve.