Një gjykatë në Prishtinë dënoi me 15 vjet heqje lirie në mungesë një pjesëtar të komunitetit serb për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatrat përreth komunës së Shtimes, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.
Ky është dënimi i parë për krime lufte në mungesë që shpallet nga një gjykatë në Kosovë.
Gjykata tha se tashmë i dënuari Çedomir Arsiç në periudhën kohore nga muaji janar deri në maj të vitit 1999 në bashkëkryerje me persona tjerë, të veshur me uniforma policore dhe ushtarake “ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosje të popullsisë civile”.
Gjyqtarja Viloleta Namani-Hajra, tha se Çedomir Arsiçi kishte marrë pjesë edhe në vrasjet në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.
"Çedomir Arsiç më datën 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, në bashkëkryerje me persona të tjerë ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Haki Muratit, Sadri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skender Halilit, Hanumshahe Mujotës dhe Mehmet Mustafës", tha ajo.
Mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999 forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimes, ku vranë 45 civilë shqiptarë. Masakra e Reçakut, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s.
Autoritetet serbe përfshirë edhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, shpesh kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 25 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave.