Lidhje

PZAP-i urdhëron certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e urdhëroi atë ta certifikojë Listën Serbe, partinë kryesore të serbëve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në vendimin e publikuar pasditen e së mërkurës PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Paneli tha se sipas Ligjit për zgjedhjet, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse ai dorëzon në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.

Në rastin konkret, thuhet në vendim, “Paneli vërtetoi se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin e kompletuar” dhe “KQZ-ja është e obliguar që të certifikojë çdo subjekt politik i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore, siç i ka plotësuar në rastin konkret Lista Serbe, për çka e njëjta është rekomanduar për certifikim nga Zyra për regjistrim, certifikimin dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në KQZ-së”, thuhet ne vendim.

Lista Serbe, ankimoi të martën vendimin e së hënës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk e certifikoi këtë subjekt për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke theksuar se vendimi nuk ka bazë ligjore, ndërsa akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për moscertifikimin e saj.

Të hënën dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan për certifikimin e kësaj liste, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nxiti reagimin e diplomacisë perëndimore dhe vëzhguesve të pavarur, që e vlerësuan atë si të motivuar politikisht.

Për pjesëmarrje në zgjedhje janë regjistruar 28 subjekte politike nga të cilat 27 tashmë janë certifikuar. Pesë nga subjektet e certifikuara janë nga radhët e komunitetit serb.

Vendimi i PZAP-it mund të ankimohet brenda 48 orësh në Gjykatn e Lartë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG