Kremtimet me rastin e krishtlindjeve, apo siç quhen në Kosovë, Kërshëndellave, po përshkohen këtë vit me lutjet për paqe dhe kundër ndasive politike, etnike e fetare, jo vetëm në Kosovë por edhe në botë, në një periudhë zhvillimesh të fuqishme gjeo politike.
Në meshën kryesore në katedralen Shën Tereza në Prishtinë, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji foli për nevojën e pajtimit të qytetarëve dhe ruajtjen e paqes në vend dhe në botë.
“Po jetojmë thatësinë e shpirtit, pa dashuri dhe helmin e zemrës njerëzore me urrejtje, qofshin ato politike, fetare apo etnike. Sa luftëra të pakuptimta janë duke ndodhur nëpër botë sot? Prandaj vëllezër të dashur përqendrohuni të gjithë në qëndresë, pajtim e dashuri”, tha ai.
Sipas regjistrimit të sivjetmë të popullsisë në Kosovë ka një rënie të lehtë të numrit të qytetarëve që janë deklaruar se i përkasin besimit katolik. Sipas të dhënave 1.75 për qind e qytetarëve janë deklaruar katolikë, ndryshe nga viti 2011 kur kjo shifër ishte 2.21 për qind.
“Sikur tharmi e mbrumë gjithë masën e miellit, ashtu të krishterët e kanë mbrumë shpirtin e popullit tonë dhe kanë zënë brumin e kulturës, traditës, qytetërimit dhe dashurisë. Kështu që sido që të ndryshojnë realitetet, të rregullohen shifrat e censusit, ose bindjet e personave, tharmi mbetet dhe e ruan aftësinë e rimbrumjes së shpirtit tonë”, tha Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.
Udhëheqës fetarë e politikë, përgëzuan besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve duke vënë theksin tek thirrjet për paqe, tolerancë e solidaritet.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave, duhet të triumfojë shpresa.
Urime e përgëzime kanë dërguar edhe përfaqësues të institucioneve tjera, të partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.