Lidhje

Kleri katolik dhe ortodoks uron besimtarët prag të Krishtlindjeve


Mesazhe urimi në prag të festimit të Krishtlindjeve
Mesazhe urimi në prag të festimit të Krishtlindjeve

Në Shqipëri, ndërsa besimtarët katolikë dhe ortodoksë janë përgatitur të festojnë lindjen e Jezu Krishtit, udhëheqësit e tyre shpirtëror u përcollën sot mesazhin tradicional të Krishtlindjes. Klerikët uruan besimtarët që shpresa të mos mungojë në zemrat e tyre dhe që gjithësecili të bëjë më të mirën, si në jetën kishtare, ashtu dhe atë shoqërore.

Mesazhe urimi në prag të festimit të Krishtlindjeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Kur mbeten edhe pak orë nga mesha tradicionale e Krishtlindjes, klerikët katolikë dhe ata ortodoksë i’u drejtuan besimtarëve me urimet për lindjen e Jezu Krishtit dhe me mesazhin e përvitshëm me rastin e kësaj feste.

Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u kujtoi besimtarëve se viti 2024 shënoi një nga momentet më të rëndësishme për kishën, atë të lumnimit të dy martirëve të rinj, njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova.

“Si Kishë në Shqipëri, më 16 nëntor të këtij viti, morëm një hir të madh me Lumnimin e Martirëve tanë Luigj Paliqi dhe Gjon Gazulli: dy shembuj të mrekullueshëm të bashkëpunimit aktiv me Hyjin për shpëtimin e botës. Sakrifica e jetës së tyre, në fakt, nuk ishte qëllim në vetvete, por kontribuoi në rivendosjen e drejtësisë dhe të paqes në popullin e tyre: në këtë mënyrë ata u bënë instrumente në duart e Hyjit për shpëtimin e vëllezërve dhe të motrave të tyre që ndodheshin në vështirësi të mëdha”, deklaroi ai.

Përmes mesazhit të tij, imzot Massafra, uroi besimtarët që shpresa të mos mungojë kurrë në zemrat e tyre dhe që secili të bëjë më të mirën dhe të angazhohet në jetën kishtare dhe shoqërore.

“ Të gjitha familjeve të kësaj toke të dashur shqiptarë dhe në veçanti atyre të kësaj Arqipeshkvie, ju uroj që të kenë marrëdhënie të shëndosha sipas modelit të Familjes së Shenjtë. Të rinjve ju uroj që t’i hapen jetës, që të mos shkurajohen në ndërtimin e të ardhmes së tyre duke ndjekur rrugën e të mirës. Atyre që ende jetojnë në vështirësi sociale dhe ekonomike, ju uroj që të gjejnë mbështetjen e institucioneve përkatëse”, tha imzot Massafra.

Ndërsa Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, thotë në mesazhin e tij se kremtimi i vërtetë i Krishtlindjeve duhet të jetë aktualizimi dhe përjetimi i kësaj ngjarje në vetë qënien e besimtarëve, sepse vetëm kështu krishti do të jetë i gjallë dhe i pranishëm në jetën e tyre.

“ Bota po përballet me kriza të shumta ekonomike, luftëra dhe varfëri. Sot, më shumë se kurrë, është i nevojshëm rigjallërimi i një jete shpirtërore, sepse krizat ekonomike, luftërat dhe varfëria burojnë nga një krizë shpirtërore. Pa e shëruar krizën shpirtërore, nuk mund ta shërojmë atë ekonomike dhe nuk mund të kemi paqe dhe pa paqe do të kemi vazhdimisht luftëra, konflikte dhe varfëri”, deklaroi ai.

“ Të mos mendojmë vetëm për veten tonë, por edhe për të gjithë të tjerët, sidomos për të varfërit dhe për njerëzit në nevojë” u shpreh në mesazhin e tij Mitropoliti Joan.

“ Duhet të jemi të pranishëm në jetën e përditshme të shoqërisë, për të përhapur, jo vetëm me fjalë, po me vepra dhe me shembull personal, frymën e ngrohtë të dashurisë dhe dhembshurisë ndërmjet njerëzve, për të mos lënë shoqërinë njerëzore të ngrijë nga era e akullt e egoizmit dhe arrogancës dhe të fragmentohet nga indiferenca dhe apatia”.

Në mesazhet e tyre për Krishtlindjen, klerikët po u bëjnë thirrje besimtarëve që të reflektojnë për periudhën që po kalon shoqëria shqiptare si dhe për promovim të dashurisë për njëri-tjetrin dhe për mjedisin

XS
SM
MD
LG