Lidhje

Protesta e opozitës në Tiranë, bllokohen 5 rrugë kyçe


Gjatë protestës së opozitës në Tiranë
Gjatë protestës së opozitës në Tiranë

Në Shqipëri, opozita zhvilloi protestën e radhës në kryeqytet duke bllokuar pesë udhëkryqe të rëndësishme të qarkullimit. Deputetë të saj, të mbështetur nga grupe simpatizantësh ishin shpërndarë në secilën prej pikave që në orën 17.00. pavarësisht kushteve të motit me shi. Opozita këmbëngul në kërkesën e saj për krjimin e një qeverie teknike që të organizojë zgjedhjet e reja parlamentare të 11 majit 2025.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili prej disa javësh ka rifituar lirinë, pasi Gjykata hoqi masën e arrestit në shtëpi ndaj tij, vizitoi disa prej pikave ku zhvillohej protesta.

Edhe këtë herë nuk munguan momentet e tensioneve me policinë, e cila herë pas herë i bënte thirrje manifestuesve të lironin rrugën dhe ndërhynte për t’i spostuar ata. Drejtuesit e opozitës folën për provokim nga ana e policisë, duke theksuar se ata po ushtronin një të drejtë kushtetuese, dhe se policia do të duhej të kishte marrë paraprakisht masat për devijimin e trafikut nga këto akse rrugore.

Opozita denoncoi ndërhyrje të dhunshme të policisë në disa raste. Ajo akuzoi për ushtrim force dhe ndaj nënkryetarot të Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, njëkohësisht nënkryetar i parlamentit, i cili u pa të ndjehej keq dhe u shoqërua në spital.

“Zoti Gjekmarkaj ka qenë target i urdhëruar nga Edi Rama. Shoqëruesi i tij, punonjës garde, iu ka treguar policëve dokumentin e gardës, që ka detyrë të mbrojë personalitetin, pra shoqëruesi u ka treguar dokumentin, kurse narkobanditët me uniformë e kanë marrë zvarrë edhe shoqëruesin. Akt i paprecedent në 30 vite ndaj një nënkryetari parlamenti”, deklaroi zoti Berisha në përfundim të protestës, ndërsa njoftoi se zoti Gjekmarkaj do të mbahej në vëzhgim ga mjekët në spital.

Me anë të një deklarate policia e Tiranës, hodhi poshtë akzuat për ushtrim dhune ndaj zoti Gjekmarkaj. “Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta”, bën të ditur deklarata.

Policia po ashtu ka deklaruar se deputeti demokrat Flamur Noka, ka qenë ai që ka kryer veprime të dhunshme dhe “jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”.

Në mbyllje të protestës, kryetari demokrat Sali Berisha e konsideroi protestën një provë të kaluar me sukses. “Ne nuk ndalemi gjer në largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e qeverisë tenike. Krijimi i qeverisë teknike që shqiptarët të votojnë të lirë, është mision i shenjtë, është mision sublim, suprem dhe ne vazhdojmë këtë betejë gjer në fitoren e këtij objektivi dhe zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk ka asnjë të pamundur që ne nuk e kthejmë në realitet dhe mundësi. Kështu që përgatitemi për betejën tjetër”, theksoi zoti Berisha.

XS
SM
MD
LG