Lidhje

Presidenti i zgjedhur Trump përsërit thirrjen për të blerë Groenlandën


Presidenti i zgjedhur Donald Trump
Presidenti i zgjedhur Donald Trump

Presidenti i zgjedhur ka përsëritur kërkesën që bëri gjatë mandatit të parë që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën nga Danimarka. Kërkesa zgjeron listën e vendeve aleate me të cilat ai ka mospajtime para se të marrë detyrën më 20 janar.

Në një komunikatë të dielën ku njoftoi emërimin e ambasadorit të tij në Danimarkë, zoti Trump shkroi se, “për qëllime të Sigurisë Kombëtare dhe lirisë në të gjithë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Groenlandës është një domosdoshmëri absolute”.

Zonë pranë Kulusukut, Groenland, 16 Gusht 2019
Zonë pranë Kulusukut, Groenland, 16 Gusht 2019

Para se të përmendte Groenlandën, zoti Trump kishte sugjeruar gjatë fundjavës, se Shtetet e Bashkuara mund të rimerrnin kontrollin mbi Kanalin e Panamasë, nëse nuk bëhet diçka për të ulur rritjen e kostove të transportit në këtë rrugë të rëndësishme ujore që lidh oqeanin Atlantik me oqeanin Paqësor.

Ai gjithashtu ka sugjeruar që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara dhe iu referua Kryeministrit kanadez Justin Trudeau si “guvernator” i “shtetit të madh të Kanadasë”.

Groenlanda, ishulli më i madh në botë, ndodhet midis oqeanit Atlantik dhe Arktikut. Tetëdhjetë përqind e territorit të saj është e mbuluar nga një shtresë akulli. Aty gjendet edhe një bazë e madhe ushtarake amerikane. Groenlanda fitoi autonominë nga Danimarka në vitin 1979 dhe kreu i qeverisë së saj, Múte Bourup Egede, tha se thirrjet e fundit të zotit Trump për ta marrë ishullin nën kontroll, janë po aq të pakuptimta sa ato të bëra në mandatin e tij të parë.

“Groenlanda është e jona. Ne nuk jemi në shitje dhe nuk do të jemi kurrë në shitje”, tha ai në një deklaratë. “Ne nuk duhet të humbasim luftën tonë shumëvjeçare për liri.”

Presidenti Donald Trump anuloi vizitën e vitit 2019 në Danimarkë pasi oferta e tij për të blerë Groenlandën u refuzua nga Kopenhaga.

Ai gjithashtu sugjeroi të dielën se Shtetet e Bashkuara po “dëmtohen” në Kanalin e Panamasë.

“Nëse parimet morale dhe ligjore, të gjestit madhështor të dhënies së kontrollit të kanalit Panamasë nuk zbatohen, atëherë ne do të kërkojmë që ai t’i kthehet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, plotësisht, shpejt dhe pa diskutim”, tha ai.

Presidenti i Panamasë, José Raul Mulino, u përgjigj në një deklaratë me video se “çdo metër katror i kanalit i përket Panamasë dhe kjo do të vazhdojë kështu pa ndryshim”. Zoti Trump u përgjigj në faqen e tij të mediave sociale duke thënë: “Do të shohim nëse vërtetë ashtu do të ndodhë!”

Presidenti i zgjedhur postoi gjithashtu fotografinë e një flamuri amerikan të vendosur në zonën e kanalit nën fjalinë: “Mirë se erdhe në Kanalin e Shteteve të Bashkuara!”

Shtetet e Bashkuara e ndërtuan kanalin në fillim të viteve 1900, por ia kthyen kontrollin Panamasë më 31 dhjetor të vitit 1999, sipas një traktati të nënshkruar më 1977 nga Presidenti Jimmy Carter.

Kanali u përball me thatësirat e vitit 2023 duke u detyruar të zvogëlojë ndjeshëm numrin e kalimeve ditore të anijeve. Me më pak anije, administratorët rritën gjithashtu tarifat për të përdorur kanalin.

Presidenti i zgjedhur Trump publikoi kohë më parë edhe një fotografi të tij mbi një majë mali pranë një flamuri kanadez krahas mbishkrimit “kanadezët duan që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të (i Shteteve të Bashkuara)”.

Kryeministri kanadez Trudeau sugjeroi se zoti Trump po bënte shaka për aneksimin e vendit të tij, por dyshja u takuan së fundmi në klubin e zotit Trump në Mar-a-Lago, në Florida. Takimi u mbajt pas kërcënimeve të zotit Trump për të vendosur një tarifë 25% për të gjitha mallrat kanadeze.

XS
SM
MD
LG