Lidhje

Kushtetuesja vendos: Mandati i Zaçajt mbaron më 10 mars 2025


Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë

Në Shqipëri trupa e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese deklaroi sot përfundimin e mandatit të kryetares Holta Zaçaj, më 10 mars të vitit të ardhshëm. Vendimi, i cili u mor pas disa seancave radhazi, shmang një përplasje institucionale mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, e cila është organi që e ka emëruar atë.

Zonja Zaçaj mori detyrën në janar të vitit 2023, duke pasuar gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë. Zonja Zaçaj, deklaroi fillimisht më 10 dhjetor se nuk kishte arsye të kërkonte deklarimin e përfundimit të mandatit, pasi sipas saj, ai duhet të mbyllej në fund të vitit.

Por në vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese konfirmoi se “qëllimi i nenit 179, pika 3, të Kushtetutës është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës. Ajo, konstatoi, gjithashtu, se teksti i kësaj dispozite, në ndryshim nga neni 125, pika 7, i Kushtetutës, nuk flet për gjyqtarë pasardhës, por për gjyqtarin që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017”.

Zonja Zaçaj iu drejtua dhe Komisionit të Venecias, për të kërkuar një opinion për rastin. Mbetet e paqartë se përse, zonja Zaçaj, siç rezulton dhe nga njoftimi për vendimin e sotëm, ka kërkuar që të njëjtin akt ta ndërmerrte dhe trupa e gjyqtarëve, një kërkesë e cila është hedhur poshtë, sikundër dhe kërkesa tjetër që deklarimi i përfundimit të mandatit të saj të mbetej pezull në pritje të përgjigjes nga opinion i Venecias.

Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese duhet të kishte deklaruar përfundimin e mandatit të zonjës Zaçaj, që më 10 dhjetor. Në mungesë të një akti të tillë, të nesërmen, Gjykata e Lartë, njoftoi hapjen e vakancës për zëvendësimin e saj, duke theksuar se mandati i zonjës Zaçaj përfundonte në 10 mars të vitit të ardhshëm, dhe se vetë kryetarja e Gjykatës, ishte në dijeni të këtij fakti.

Në vendimin e sotëm shpjegohet se “hapja e procedurës për plotësimin e një vendi vakant duhet të fillojë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit të anëtarit të saj sipas nenit 127, pika 2, të Kushtetutës dhe Kryetari i saj ka njoftuar organin përkatës të emërtesës sipas nenit 9, pika 3, të ligjit organik”. Kur një gjë e tillë nuk ndodh, siç ishte rasti i zonjës Zaçaj, Gjykata ka vlerësuar se organi i emërtesës “duhet t'ia kërkojë Gjykatës këtë gjë me shkrim, duke parashtruar edhe argumentet përkatëse lidhur me mbarimin e mandatit të gjyqtarit për të cilin është organ emërtese sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në këtë rast Gjykata duhet të shprehet me vendim, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim”.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e ka quajtur të vlefshme procedurën e nisur për zëvendësimin e zonjës Zaçaj. “Duke mbajtur në konsideratë se Gjykata e Lartë ka hapur në datën 11.12.2024 procedurën për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke llogaritur si datë të mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj datën 10.03.2025, si dhe duke pasur parasysh se kjo Gjykatë arriti në të njëjtin përfundim në lidhje me datën e mbarimit të mandatit të kësaj gjyqtareje, vlerësoi se vendimi i saj nuk ndikon në procedurën e vënë në lëvizje nga Gjykata e Lartë”.

Gjykata Kushtetuese nisi procesin e deklarimit të përfundimit të mandatit të kryetares, nga vetë zonja Zaçaj, e cila ju drejtua trupës së anëtarëve 48 orë pasi kishte këmbëngulur se mandati i saj mbaronte në fund të vitit 2025 dhe të nesërmen e shpalljes së vakancës nga Gjykata e Lartë. Disa mbledhje radhazi u shtynë, ndërsa në mbledhjen e fundit, javën e shkuar, iu la kohë zonjës Zaçaj që të shprehte një vlerësim të detajuar të saj mbi rastin.

XS
SM
MD
LG