Presidenti Joe Biden njoftoi të hënën se ka lehtësuar dënimet për 37 nga 40 persona të dënuar me vdekje nga gjykatat federale, duke ua ulur dënimin në burgim të përjetshëm. Ky zhvillim vjen disa javë përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump, një përkrahës i hapur i zgjerimit të dënimeve me vdekje, të marrë detyrën.
Vendimi u kursen jetën personave të dënuar për vrasje nga gjykatat federale, mes tyre ata që janë dënuar për vrasjen e oficerëve të policisë dhe ushtarakëve, atyre të përfshirë në grabitje të përgjakshme të bankave apo në trafik droge, si dhe vrasjet e gardianëve të burgut apo të burgosurve, në objektet federale.
Vetëm tre persona do të vazhdojnë të përballen ende me dënim me vdekje. Ata janë Dylann Roof, i dënuar për vrasjen e 9 besimtarëve me ngjyrë të Kishës Episkopale Metodiste Afrikane Emanuel, në Çarleston të Karolinës së Jugut; Dzhokhar Tsarnaev, autor i i sulmit të përgjakshëm me bombë në maratonën e Bostonit në vitin 2013; si dhe Robert Bowers, i cili vrau 11 besimtarë në Sinagogën Pema e Jetës në Pitsburg në vitin 2018, sulmi më i përgjakshëm antisemitik në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Ia kam kushtuar karrierën time uljes së dënimeve për vepra penale të dhunshme dhe garantimit të një sistemi drejtësie të drejtë dhe efektiv”, thuhej në deklaratën e Presidentit Biden.
“Sot po u ndryshoj dënimet 37 nga 40 personave të dënuar me vdekje, duke ua ulur në burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht. Ky lehtësim është në përputhje me moratoriumin që administrata ime ka vendosur mbi ekzekutimet federale, përveç rasteve që lidhen me terrorizmin dhe vrasjet në masë të motivuara nga urrejtja”, thuhej më tej në deklaratë.
Në vitin 2021 administrata Biden njoftoi një moratorium mbi dënimin me vdekje nga gjykatat federale. Një masë e tillë pezulloi ekzekutimet gjatë mandatit të zotit Biden.
Në fakt në të kaluarën Presidenti Biden kishte premtuar të shkonte edhe më tej lidhur me këtë çështje, duke u zotuar se do t'i jepte fund dënimeve me vdekje, pa përjashtuar për veprat penale si terrorizmi dhe vrasjet në masë të motivuara nga urrejtja.
Në vitin 2020 ndërsa kandidonte për president, në faqen e tij të fushatës elektorale thuhej se ai "do të punonte për të miratuar ligje për të eliminuar dënimin me vdekje në nivel federal dhe për të nxitur shtetet, që të ndiqnin shembullin e qeverisë federale".
Por një gjë e tillë nuk u shfaq kur ai rikandidoi për t’u rizgjedhur në vitin 2024 dhe deri përpara se të tërhiqej nga gara në muajin korrik.
“Padyshim që unë i dënoj këta vrasës, ndjej pikëllim për viktimat e akteve të tyre të neveritshme dhe dhimbje për të gjitha familjet që kanë pësuar humbje të paimagjinueshme e të pariparueshme”, thuhej në deklaratën e Presidentit Biden.
“Por, i udhëhequr nga ndërgjegjia dhe përvoja ime, si kryetar i Komisionit për Çështje Ligjore të Senatit, si nënpresident e tashmë president, jam i bindur më shumë se kurrë se ne duhet të ndalim dënimin me vdekje në nivel federal”.
Duke iu referuar kundërshtarit të tij politik Donal Trump, ai tha se: “me ndërgjegje të pastër, nuk mund të qëndroj dhe të lejoj që një administratë e re të rifillojë ekzekutimet që unë i kam ndaluar”.
Zoti Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, ka folur shpesh për zgjerimin e dënimeve me vdekje.
Gjatë një fjalimi, ku njoftoi kandidimin e tij për zgjedhjet presidenciale të vitin 2024, zoti Trump bëri thirrje që ata që “kapen duke shitur drogë të dënohen me vdekje”, duke i cilësuar aktet e tyre të urryera.
Ai më vonë premtoi se do të dënonte me vdekje kontrabandistët e drogës dhe ata që trafikonin qënie njerëzore, si dhe mbështeti trajtimin e ashpër që Kina u bën kontrabandistëve të drogës.
Edhe gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump doli në mbështetje të dënimeve me vdekje për kontrabandistët e drogës.
Gjatë mandatit të parë të zotit Trump u kryen 13 ekzekutime për vepra penale në kryera në territor federal, më shumë se gjatë mandatit të çdo presidenti në historinë moderne të vendit.
Disa prej tyre u kryen aq shpejt sa mendohet se kanë kontribuar në përhapjen e koronavirusit në objektin federal ku ekzekutohen dënimet me vdekje, në Indiana.
Këto ishin ekzekutimet e para që nga viti 2003 për krime federale.
Tre të fundit ndodhën pas ditës së zgjedhjeve në nëntor të vitit 2020, por përpara se zoti Trump të largohej nga detyra në janar të vitit 2021. Kjo shënoi herën e parë që ekzekutimet kryeshin në muajt e fundit të mandatit të një presidenti e ndërsa ishte zgjedhur pasuesi i tij, që nga koha e Presidentit Grover Cleveland në vitin 1889.
Zoti Biden është përballur me presion kohët e fundit nga grupe që mbrojnë të drejta e njeriut, që i kërkonin atij të vepronte për ta bërë më të vështirë për zotin Trump përdorimin e dënimit me vdekje për të burgosurit për krime federale.
Njoftimi i presidentit vjen më pak se dy javë pasi ai fali 39 persona të dënuar për krime jo të dhunshme dhe reduktoi dënimet për rreth 1500 të tjerë.
Për nga numri këto vendime, ishin më të mëdhatë të ndërmarra në një ditë të vetme.
Këto zhvillime pasuan faljen që Presidenti Biden i bëri pas zgjedhjeve djalit të tij, Hunter Biden, i dënuar mbi akuza federale për armë dhe mos pagim taksash, edhe pse për një kohë të gjatë ai kishte thënë se nuk do ta bënte një gjë të tillë. Vendimi shkaktoi debate në Uashington.
Falja ngriti gjithashtu pikëpyetje nëse ai do të lëshonte falje paraprake për zyrtarët të administratës dhe aleatë të tij, për të cilët Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar se mund të vihen padrejtësisht në shënjestër nga administrata e dytë e zotit Trump.
Spekulimet se zoti Biden mund të zbusë dënimet me vdekje u intensifikuan javën e kaluar pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se ai ka në plan të vizitojë Italinë në muajin janar, udhëtimi i tij i fundit jashtë vendit si president.
Zoti Biden, një katolik praktikant, do të takohet me Papa Françeskun, i cili kohët e fundit ka bërë thirrje për lutje për të dënuarit me vdekje në Shtetet e Bashkuara, me shpresën se dënimet e tyre do të reduktohen.
Martin Luther King III, djali i madh i udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King Jr, tha në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë se zoti Biden "ka bërë atë që asnjë president para tij nuk ishte i gatshëm të bënte, duke ndërmarrë veprime kuptimplota, jo vetëm për të pranuar rrënjët raciste të dënimit me vdekje, por edhe për të korrigjuar padrejtësinë e vazhdueshme në dhënien e tij”.
Donnie Oliverio, një oficer policie në pension nga Ohajo, të cilit i është vrarë kolegu nga një prej të dënuarve me vdekje, që iu lehtësua vendimi, tha se ekzekutimi i tij, nuk do t’i kishte sjellë paqe për partnerin e tij polic dhe mikun e tij.
"Presidenti bëri atë që është e drejtë dhe në përputhje me besimin që ai dhe unë ndajmë", tha zoti Oliverio në një deklaratë të lëshuar gjithashtu nga Shtëpia e Bardhë.