Dy ish agjentë izraelitë tregojnë për herë të parë detaje nga planifikimi i operacionit të fshehtë të agjencisë izraelite të zbulimit Mossad kundër grupit militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani, që vepron në Liban. Në intervistë me rrjetin televiziv amerikan CBS, dy agjentët e izraelitë, treguan se si Mossad-i realizoi operacionin e shpërthimit të ‘pagers’ dhe radiove të dorës, që goditi rëndë komandën dhe pjesëtarët e Hezbollahut. Në emisionin ‘60 minuta’, agjentët e zbulimit u paraqitën me fytyra të maskuara dhe me zë të ndryshuar për të fshehur identitetin e tyre.
Ish agjentët izraelitë të zbulimit thanë se agjencia izraelite e spiunazhit Mossad e kishte filluar operacioni për të futur eksplozivë në pajisjet e komunikimit të Hezbollahut para 10 vitesh. Dy ish agjentët, të cilët u identifikuan me emrat e sajuar Gabriel dhe Michael, rrëfyen për televizionin CBS procesin që çoi deri te goditja e njërës prej organizatave më të mëdha militante në Lindjen e Mesme, të shpallur terroriste nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Pajisjet e komunikimit, të përdorura nga qindra anëtarë të grupit militant Hezbollah shpërthyen pothuajse njëkohësisht në Liban dhe në Siri në muajin shtator, duke vrarë dhjetra dhe lënduar qindra pjesëtarë të këtij grupi.
Hezbollahu, sipas agjentëve, nuk ishte i vetëdijshëm se po i blente radiot e dorës nga armiku i tyre, Izraeli.
Agjenti ‘Michael’ tha se Mossad-i krijoi një “botë të sajuar”, ndërkohë që agjenti ‘Gabriel’ përdor shembullin e filmit të zhanrit psikologjik të vitit 1998, “The Truman Show’, ku personazhi kryesor është një burrë që nuk e di se jeton në një botë të rreme dhe se familja e miqtë e tij janë në fakt aktorë që paguhen për ta bërë realitet këtë iluzion.
“Kur i blenë (pajisjet) nga ne, ata nuk kishin as idenë më të vogël se po i blinin nga Mossad-i... Ne kontrollonim çdo gjë nga prapaskena. Sa u përket atyre, çdo gjë dukej normale. Ishim përkujdesur për të gjitha detajet, përfshirë sipërmarrësin, marketingun, inxhinierët, pavijonin”, thotë ish agjenti i lartë izraelit i zbulimit, 'Gabriel'.
Sipas ish agjentëve, faza e dytë e planit filloi në vitin 2022 pasi Mossad-i mori informacion se Hezbollahu kishte porositur ‘pagers’ nga një kompani tajvaneze. Këto pajisje të vogla komunikimi përdoren për dërgim të mesazheve dhe sinjaleve. Por, për t’u mbushur me eksplozivë, ato duhej të prodhoheshin me përmasa më të mëdha.
Sipas agjentëve ato u testuan shumë herë në manekinë, për të përcaktuar sasinë e duhur të eksplozivit, në mënyrë që shpërthimi të lëndonte vetëm pjesëtarët e Hezbollahut dhe jo njerëzit e tjerë që mund të ishin pranë tyre.
“I vetmi që do të plagosej ishte terroristi. Edhe nëse gruaja apo vajza e tij ishin afër tij, ai do të ishte i vetmi që do të plagosej”, sipas 'Gabriel'. "Çdo hap u provua dy herë, tre herë, disa herë, për t’u siguruar që dëmi të ishte minimal.”
Sipas agjentëve, Mossad-i testoi zile të ndryshme telefoni për të gjetur njërën që jepte ndjenjë urgjence dhe që do t’i nxiste pjesëtarët e Hezbollahut ta nxirrnin ‘pager’-in nga xhepi.
Agjenti ‘Gabriel’ thotë se u deshën dy javë për ta bindur Hezbollahun që të përdorë ‘pager-a’ më të mëdhenj, pjesërisht duke përdorur reklama të sajuara në platformën YouTube, që i reklamonin ato si pajisje që nuk dëmtohen nga pluhuri, uji dhe që kanë bateri më të qëndrueshme.
Gjatë emisionit, agjenti ‘Gabriel’ përshkroi se si u përdorën kompanitë fantazmë, përfshirë njërën me seli në Hungari, për të mashtruar firmën tajvaneze, Gold Apollo, që të hynte në kontratë bashkëpunimi me Mossad-in pa e ditur një gjë të tillë.
Deri në shtator të vitit 2024, militantët e Hezbollahut kishin 5,000 pajisje komunikimi në xhepat e tyre.
Izraeli e filloi sulmin më 17 shtator, duke aktivizuar të gjitha pajisjet në Liban. Ato shpërthyen edhe atëherë kur poseduesit e tyre nuk e shtypën butonin për të lexuar mesazhin e koduar.
Të nesërmen, Mossad-i aktivizoi radiot e dorës, disa prej të cilave shpërthyen ndërkohë që po mbahej ceremonia e varrimit për 30 të vrarët gjatë sulmit të parë.
Sipas agjentit ‘Gabriel’, qëllimi i operacionit ishte më shumë t’i dërgonte mesazh Hezbollahut sesa të vriste pjesëtarët e tij.
Disa ditë pas sulmit, forcat izraelite ndërmorën sulme ajrore duke goditur objektivat e Hezbollahut nëpër tërë Libanin. Udhëheqësi i Hezbollahut Hassan Nasrallah, ishte në mesin e të vrarëve, kur Izraeli goditi me bombë vendin ku ai fshihej.
Agjenti ‘Michael’ tha se pas shpërthimit të pajisjeve të komunikimit, banorët në Liban kishin frikë të ndiznin kondicionerët nga frika se edhe ata do të shpërthenin.
“Luftës së Hezbollahut iu ndal hovi pas këtij operacioni. Shpresoj që do të ketë ndikim te Hamasin dhe situata e pengjeve ngaqë tani po e shohin dhe po e kuptojnë që nuk kanë askënd pranë. Tani janë plotësisht të izoluar”, tha ish agjenti 'Michael'.
Lufta ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, që u shkaktua nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, u ndal përmes një armëpushimi në nëntor. Lufta e Izraelit në Gazë, ku sipas zyrtarëve shëndetësorë janë vrarë 45,000 palestinezë, ende po vazhdon.