Lidhje

Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat që janë hedhur poshtë nga Kievi dhe Perëndimi


Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Rusia nuk ka parakushte për të filluar bisedimet me Kievin për një marrëveshje të mundshme paqeje, por përsëri iu referua kërkesave0 që ka përmendur më parë për fundin e luftës. Në konferencën e tij të fundit të vitit me gazetarët, që presidenti rus e përdor për të projektuar pushtetin e tij të gjithanshëm, ai tha se është i gatshëm për kompromis me Presidentin e zgjedhur Donald Trump lidhur me Ukrainën.

Putin shprehet gati për negociata, por përsërit kërkesat e mëparshme
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Presidenti rus tha se një marrëveshje paraprake në Stamboll, disa muaj pas fillimit të luftës, mund të shërbejë si bazë për diskutimet e ardhshme.

“Në fund të fundit, ne arritëm në thelb një marrëveshje në Stamboll në fund të vitit 2022. Dhe, po e përsëris për të 100 herë, se pala ukrainase vuri inicialet, që do të thotë se ata në përgjithësi ishin dakord me të, dhe më pas për disa arsye e refuzuan”, tha ai.

Duke iu përgjigjur këtij pretendimi, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë një konferencë shtypi në Bruksel mohoi të kishte pasur një marrëveshje në Stamboll mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Ukraina nuk ra dakord me ultimatumin e Federatës Ruse. Ukraina nuk nënshkroi asgjë, nuk pati asnjë marrëveshje. Kishte një përgjigje ndaj ultimatumit nga Federata Ruse", tha ai.

Presidenti Putin e përdori konferencën e shtypit të fundvitit, që si zakonisht ishte e orkestruar deri në detaje, për të përforcuar autoritetin e tij dhe për të demonstruar se ka kontroll për çdo gjë në vend.

Ai tha se është i gatshëm të bisedojë me Presidentin e ardhshëm amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës.

"Dhe ne gjithmonë kemi thënë se jemi gati për negociata dhe kompromise. Është pikërisht pala kundërshtare ... që ka refuzuar të negociojë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për një gjë të tillë”, tha ai.

Por në të njëjtën kohë, ai shtoi se bisedimet duhet të bazohen tek "situata në terren" duke iu referuar disa kushteve që i ka parashtruar më parë. Putini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga aspirata për t'u anëtarësuar në NATO dhe të pranojë arritjet e Rusisë në fushën e betejës. Kievi dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë këto kërkesa.

Zoti Trump i cili merr detyrën më 20 janar, është zotuar t'i japë fund konfliktit me shpejtësi, por nuk ka dhënë detaje se si do ta bëjë këtë. Ukrainasit druhen se ky premtim nënkupton që ata të bëjnë lëshime territoriale.

Presidenti rus nuk e pranoi se pozitat e Rusisë në luftë janë dobësuar, megjithëse përparimi i trupave ruse ka qenë i ngadaltë dhe Kremlini ka pësuar disa humbje të konsiderueshme.

“Unë kam një këndvështrim tjetër. Unë besoj se Rusia është bërë shumë më e fortë gjatë dy-tre viteve të fundit. Pse? Sepse ne po bëhemi një vend vërtet sovran. Ne nuk jemi më të varur nga askush”, tha ai.

Duke folur për doktrinën e rishikuar bërthamore të vendit, zoti Putin tha se ajo ka si synim reagimin e Moskës ndaj vendeve me aftësi bërthamore ose pa këto aftësi që mund të kryejnë agresion ndaj Rusisë, duke paralajmëruar kështu përsëri Perëndimin.

“Nëse vende të tilla dhe aleatët e tyre përbëjnë kërcënim për sovranitetin tonë, vetë ekzistencën e Rusisë, atëherë ne do ta konsiderojmë veten në të drejtën tonë për të përdorur armët bërthamore kundër tyre”, tha ai.

Presidenti Putin, i cili është në pushtet për gati një çerek shekulli dhe filloi një mandat tjetër gjashtëvjeçar në fillim të këtij viti, tha se forcat ruse po lëviznin drejt arritjes së qëllimeve të tyre kryesore në Ukrainë. Moska e filloi agresionin frontal kundër Ukrainës në shkurt 2022.






XS
SM
MD
LG