Eshtë një traditë reklamimi më shumë se 1 shekullore. Dyqanet më të fashmëm në Nju Jork zbulojnë vitrinat luksoze, posaçërisht për periudhën e festave. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar na tregon se përse kjo formë e vjetër reklamimi vazhdon të jetë e efektshme edhe në botën moderne.
Dyqani Macy’s në Nju Jork e nisi traditën e vitrinave të periudhës së festave rreth 150 vjet më parë, në 1874. Ditët e sotme, procesi i ideimit se si do të duken vitrinat, zgjat thuajse një vit, fillon në shkurt ose mars.
“Shpresoj që njerëzit të mendojnë gëzimin dhe harenë. Ne synojmë të përcjellim emocionin e të dhuruarit gjatë festave”, shprehet Manny Urquizo, drejtor kombëtar për vitrinat në dyqanet Macy’s.
Animacioni është pjesë e traditës së vitrinave në dyqanet Macy's.
“Për çdo vitrinë është punuar mbi 300 orë. Ka shumë njerëz që janë të përfshirë. Marangozë, elektricistë, artizanë. Po ashtu përdorim teknlogji të ndryshme”, thotë zoti Urquizo.
Procesi i dekorimit të vitrinave mund të të marrë kohë dhe të jetë i shtrenjtë. Rrejti dyqaneve Saks ka vitrina shumë ngjyrëse, por hoqi dorë nga ceremonia e ndezjes së dritave për fasadën e dyqanit.
“Në bulevardin Fifth Avenue këtë vit ka më pak vitrina luksoze. Por dyqanet Macy's vazhdojnë traditën e vitrinave të mëdha dhe mendoj se është strategji e zgjuar”, thotë Jim Cusson, ekspert marketing.
Në një botë gjithnjë e më digjitale, dyqanet e Nju Jorkut kanë një arsye të fortë të vazhduar me këtë formë reklamimi, thotë ekspertja Tulin Erdem.
"Njerëzit janë të lidhur me traditën dhe dyqanet e njohura duhet të jenë pjesë e kësaj tradite"
Kjo formë reklamimi jo vetëm që i tërheq klientët në dyqane, por po ashtu bën të mundur që shitësit të ndërtojnë një marrëdhënie emocionale me konsumatorët, thotë eksperti Cusson.
"Një përqindje e këtyre klientëve do të shpenzojnë para vetëm në dyqane, dhe jo në forma të tjera. Por kjo formë reklamimi është një mundësi për të ndërtuar, ndoshta, një marrëdhënie më emocionale me klientët, se sa do mund të ndërtohej me vetëm një njoftim në derën e dyqanit”, shprehet zoti Cusson.
Kjo formë tregtimi mund t'i mbajë klientët të interesuar për një markë të caktuar, thotë zonja Erdem.
“Disa marka që janë shumë të njohura, nuk kanë arritur të nxisin lidhje emocionale. Pra njerëzit i njohin, por nuk janë të ldhura me këto marka. Tërheqja e vëmendjes, është një hap që në një të ardhme këto marka të krijojnë një lidhje me klientët”.
Sipas të dhënave të Macy's rreth 10,000 njerëz shohin çdo ditë vitrinat rrjetit të dyqaneve. Duke shijuar një traditë të modës së vjetër në një botë moderne.