Lidhje

Fijet nga Shqipëria që zbuluan pastrimin e parave të trafikut ndërkombëtar të drogës


Operacioni i zhviluar në Spanjë
Operacioni i zhviluar në Spanjë

Europol njoftoi të mërkurën goditjen e një rrjeti kriminal që vepronte si një bankë e nëndheshme, për të qarkulluar dhe pastruar të ardhurat nga trafiku i drogës në shkallë të gjerë e nga krime të tjera të rënda. Goditja e rrjetit erdhi falë aktiviteteteve të agjensive ligjzbatuese në 6 vende të ndryshme, të mbështetura nga Europol-i, e veçanërisht nga rezultatet e dy hetimeve të rëndësishme të finalizuara kohë më parë me operacionet “Gorgon”, i realizuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, në Shqipëri dhe ai “Whitewall”, i realizuar në Spanjë, nga Guardia Civil. Europol-i bëri të ditur se të paktën 9 persona u arrestuan, ndërsa u sekuestruan 25 milionë euro në kriptovaluta, 35 mijë euro kesh dhe dokumente, telefona celularë , sende me vlerë ( ari, mallra luksi).

Operacioni “Gorgon” në Shqipëri

Operacioni në Shqipëri, i zhvilluar më 31 korrik, pati si objektiv goditjen e organizatës së vëllezërve nga Elbasani Franc dhe Hajdar Çopja të dyshuar për një seri vrasjesh, tentative vrasjeje si dhe në vjedhjen e 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në vitin 2019. Nga 33 urdhëra arresti, 13 u ekzekutuan në vend ndërsa dy të tjerë ishin arrestuar më herët jashtë vendit. Pjesa tjetër e personazheve kishin lënë prej kohësh Shqipërinë.

Në njoftimin e saj për rastin, Prokuroria e Posaçme, u përqëndrua te aktiviteti i vëllezërve, duke mbajtur të fshehur një fakt që e zbuloi komunikata e Europol-it në atë kohë. Sipas organizatës europiane të sundimit të ligjit në operacionin e zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme ishte “arrestuar një figurë e rëndësishme në pastrimin e parave me qendër në Tiranë, i cili i ka ofruar shërbimet e tij grupeve të ndryshme kriminale të nivelit të lartë, të përfshirë në rrafsh ndërkombëtar, në vrasje, korrupsion e trafik droge në shkallë të gjerë”.

Siç u mësua më pas, mes të arrestuarve ishin pronarët e një pike këmbimi valutor në qendër të Tiranës, Bashkim Lika dhe Maklen Mici, të cilët dyshohen se ofronin shërbime financiare për organizatën e vëllezërve Çopja. Zbërthimet e aplikacioneve të koduara SKY/ECC, kanë zbuluar se Mici kishte lëvizur disa miliona euro të Franc Çopjes. Por në deklarimet për mediat, avokatët e të dy të arrestuarve kanë mohuar akuzat.

Në njoftimin e sotëm të Europol-it, për këtë rast shpjegohet se i arrestuari në Shqipëri “po lehtësonte transferimin e shumave të mëdha parash përmes kriptomonedhave. Kjo mënyrë, është përdorur jo vetëm nga bota kriminale shqiptare, por edhe nga organizata të tjera kriminale dhe përbën një qasje të re për pastrimin e parave”.

Si nisën hetimet

Hetimet për këtë rrjet nisën në vitin 2021, kur në kuadër të hetimeve për trafik të lëndëve narkotike, policia spanjolle, gjatë kontrollit të një banese, gjeti në kartëmonedhat 5 euro-she, të dhëna me shkrim dorë, që jepnin informacione se kush po koordinonte dhe lehtësonte aspektin financiar të trafikut të kokainës.

Policia spanjolle ia dorëzoi këtë informacion Europolit, i cili e kontrolloi atë me të dhënat e mbledhura në rastet e sistemeve të koduara “ EncroChat” dhe “Sky”. Si rezultat, shpjegon Europol-i, një shtetas britanik, u identifikua si një koordinator që ofronte shërbime bankare të nëndheshme, për një rrjet kriminal me bazë në Spanjën jugore, i cili ishte nën mbikëqyrjen e një rrjeti kriminal që operonte nga Dubai.

Pas arrestimit të tij më 12 shtator të vitit 2022, analizimi i të dhënave të shumta për të zbuluar rrjetin kriminal dhe rolet e anëtarëve të tij, çoi në një aksion të zhvilluar më 4 nëntor 2024 në Malaga, Spanjë, me pjesëmarrjen e autoriteteve të zbatimit të ligjit belge, bullgare, holandeze dhe të Shteteve të Bashkuara.

Sipas Europol-it dy operacionet “Gorgon” dhe “Whitewall” zbuluan shumë aspekte të krimit të organizuar, me transfertat e fshehta dhe pastrimin e parave të cilat funksionojnë jo vetëm që si krime financiare në vetvete, por edhe si shërbime për ata që janë të përfshirë në trafikun e drogës, vrasjet me pagesë dhe trafikimin e armëve.

XS
SM
MD
LG