Lidhje

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë: Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë fajësinë për frikësim të dëshmitarit


Zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën e Hagës njoftoi të martën se ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar fajësinë për akuzat që lidhen me frikësimin e dëshmitarit dhe pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në një njoftim të zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se zoti Shala dhe zoti Januzi kanë pranuar fajësinë dhe në marrëveshje thuhet se të akuzuarit “pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetohen jashtë dyshimit të bazuar dhe janë të vërteta dhe sakta”.

Marrëveshja ndërmjet zyrës së prokurorit dhe mbrojtjes së të akuzuarve për pranimin e fajësisë duhet të miratohet nga gjykata para se të hyjë në fuqi dhe seanca për këtë çështje pritet të mbahet të mërkurën me 18 dhjetor.

Në njoftim citohet kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara, Kimberly West, të ketë thënë se marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur duke pasur parasysh rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë të ndjekë fuqishëm të gjithë ata që ndërhyjnë në administrimin e drejtësisë, në mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve në Kosovë”, tha ajo.

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e luftës në Kosovë, arrestuan Haxhi Shalën, një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.

Në aktakuzë thuhej se “midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Haxhi Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1, për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

Sipas aktakuzës, me këtë sjellje “Haxhi Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në tetor të vitit 2023, Dhomat e Specializuara arrestuan Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin, nën dyshimet për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

Gjykata e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë pritet të mbajë sot një seancë lidhur me ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në fillim të dhjetorit njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, si dhe për ish ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, për mosbindje ndaj gjykatës.

Ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj nuk u deklaruan për akuzat në seancat fillestare ndërsa Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi deklaruan pafajësinë.

Sipas aktakuzës mes të paktën 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të veçanta, zoti Thaçi u ka ofruar zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacione të besueshme për zyrën e prokurorit, dëshmitarët, i udhëzoi ata që të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u ofroi hollësi si ta bëjnë këtë.

Aktakuza pretendon se zoti Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me tre të akuzuarit tjerë si dhe me zotin Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.

Ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tashmë po përballet me dy procese gjyqësore, duke përfshirë edhe atë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

XS
SM
MD
LG