Temperaturat e ujit rreth Shkëmbinjve të Mëdhenj Koralorë në Australi janë në nivelin më të lartë në 400 vitet e fundit, sipas një studimi të ri. Rritja e temperaturave të detit në atë zonë ka të ngjarë të jetë rezultat i ndryshimeve klimatike të nxitura nga veprimet e njerëzve dhe po shkakton çngjyrosjen e koraleve dhe zhveshjen e tyre nga algat.
Shkëmbinjtë koralorë janë mes mjediseve detare më të bukura dhe të larmishme. Shkëmbinjtë e Mëdhenj Koralorë të Australisë janë sistemi më i madh i këtij lloji dhe ndoshta më i famshmi. Ai shtrihet në një hapësirë të madhe sa afro sipërfaqja e Italisë dhe mund të shihet nga hapësira si struktura më e madhe e vetme e përbërë nga organizma të gjallë.
Në vitin 1981 këtij sistemi iu dha statusi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, gjë që konfirmoi rëndësinë e tij. Por vitet e fundit, këta shkëmbinj i janë nënshtruar një çngjyrosjeje masive të nxitur nga rritja e temperaturave të ujit.
Një raport i botuar në revistën Nature po përdor të dhënat e skeleteve të koraleve për të përftuar të dhëna të sakta për këtë dukuri. Kolonitë e koraleve janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të mjedisit dhe mund të jetojnë për qindra vjet. Prandaj seletet e tyre mund të shërbejnë si sistem regjistrimi për kushtet e ujit.
Benjamin Henley është profesor i Universitetit të Melburnit dhe anëtar nderi në Universitetin e Uollongongut në Australi. Ai dhe kolegët e tij kanë mbledhur të dhënat e temperaturës së sipërfaqes së detit nga viti 1618 deri në 1995 duke përdorur kampionë të bazës së koraleve nga rajonet e Detit Koralor dhe Paqësorit Jugperëndimor. Këto të dhëna janë kombinuar me temperaturat e regjistruara të sipërfaqes së detit nga viti 1990 deri në vitin 2024.
Hulumtimi i tyre identifikoi temperatura të qëndrueshme të detit para vitit 1900, por vëzhgoi një ngrohje mesatare vjetore prej 0.12 Celsius për dekadë nga viti 1960 deri në 2024
"Ne po përpiqemi të vlerësojmë pasojat e këtyre zbardhjeve masive të koraleve. Shkëmbinjtë e Mëdhenj Koralorë janë të mëdha sa Italia, kështuqë bëhet fjalë për pasoja masive, dhjetë herë më të mëdha se sa ciklonet më ekstreme tropikale. Pra është një zonë jashtëzakonisht e gjerë dhe ndikimi mund të jetë katastrofik, prandaj po e studiojmë me kaq kujdes”, thotë Prof. Henley.
Studiuesit po përqendrohen në muajt më të nxehtë të verës midis janarit dhe marsit dhe zbuluan se në vitet e fundit të zbardhjes masive të koraleve (2016, 2017, 2020, 2022 dhe 2024) temperatura e detit ishte dukshëm më e lartë se në çdo vit para vitit 1900. Këto vite ishin gjithashtu pesë nga gjashtë vitet më të nxehta që ka përjetuar rajoni në katër shekujt e fundit.
Studimi sugjeron gjithashtu se shkalla e ngrohjes pas vitit 1900, mund t'u atribuohet veprimeve njerëzore.
“Rreziku se mund ta humbasim këtë pasuri, ose të paktën në formën aktuale, shpresoj të jetë një kambanë alarmi për qeveritë në mbarë botën se duhet të bëjmë shumë më tepër dhe duhet të ndërmarrim veprime të koordinuara globale”, thotë Prof. Henley.
Në Universitetin e Laikasterit në Britani, profesori i Paleobiologjisë Jens Zinke po analizon një kampion të koraleve që i është dërguar nga Australia. Profe. Zinke nuk është pjesë e studimit, por të dhënat e tij janë përdorur nga Prof. Henley në hulumtimet e tij. Korali nuk ka ngjyrat e ndezura të fundit të oqeanit dhe Prof. Zinke mund të identifikojë shenja treguese të stresit shkaktuar nga episodet ekstreme të motit.
"Koralet janë sensorë të përsosur të oqeanit. Kështu që ato luajnë rolin e instrumentave nënujore. Ato janë në fakt sensorë të gjallë që qëndrojnë nën oqean për qindra vjet dhe regjistrojmë gjithçka që u ka ndodhur për shekuj me radhë, gjatë ekzistencës së tyre", thotë ai.
Jo të gjitha koralet preken njëlloj nga rritja e temperaturave të detit dhe koralet në përgjithësi kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme për t’iu përshtatur ndryshimeve, por profesor Zinke është i shqetësuar nga prirjet aktuale.
“Nëse vazhdon kjo prirje dhe nëse njerëzit nuk ndryshojnë mënyrën e jetesës, patjetër do të shohim më shumë valë nxehtësie. Po i shohim më shpesh dhe në 20-30 vitet e fundit, këto valë të nxehti të skajshme po ndodhin më shpesh dhe koralet kanë më pak kohë të ripërtërihen”, thotë ai.
Studiuesit parashikojnë se edhe nëse ngrohja globale qëndron nën nivelin e objektiveve të Marrëveshjes së Parisit, 70-90 për qind e koraleve në të gjithë globin mund të zhduken dhe se shkëmbinjtë koralorë në të ardhmen do të jenë më pak bio-të larmishme për shkak të këtyre prirjeve të rritjes së vazhdueshme të temperaturave.