Lidhje

Policia e Vlorës godet një rrjet kriminal që shfrytëzonte ukrainas në Shqipëri për aktivitete të paligjshme


Policia e Vlorës tha të premten se goditi një rrjet kriminal të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore, duke arrestuar 3 shtetas nga Ukraina dhe një nga Bjellorusia dhe duke shpallur në kërkim një shtetas nga Polonia.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela tha se pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.

Sipas zotit Çela personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane.

Policia e Vlorës tha se janë shoqëruar edhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit sipas policisë u sekuestruan 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta identifikimi dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike.

Sipas ekspertëve shqiptarë të policisë rrjeti i trafikut të qënieve njerëzore ngritur kryesisht nga shtetasit ukrainas paraqet një formë të re kriminale ku shtetas të huaj kryejnë në territorin shqiptar aktivitete kriminale, pa bashkëpunime lokale, duke shfrytëzuar platforma të ndryshme të rrjeteve sociale.

XS
SM
MD
LG