Partia Demokratike e Kosovës dërgoi të premten për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese 16 projektligje të miratuara nga shumica parlamentare për siç u tha shkeljes së procedurave dhe përmbajtjes të tyre.
Projektligjet që u miratuan në seancën e pesë dhjetorit, sipas shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, flasin për një standard të dëmshëm në jetën parlamentare në vend.
“Prej këtyre 16 projektligjeve, 15 prej tyre kontestohen vetëm në procedurë ndërsa një nga ta kontestohet edhe në procedurë edhe në përmbajtje”, tha zoti Tahiri.
Ai tha se gjatë senacës së dhjetorit që i zhvilloi punimet deri në orët e vona të natës është shkelë rregullorja e punës duke pamundësuar partive opozitare të marrin pjesë në shqyrtimin e projektligjeve.
“Pra imagjinoni si deputet i Kuvendit të Kosovës për seancën që është ftuar në orën 14 e 40 minuta, ne jemi njoftuar në ora 15 e një minutë, pra 21 minuta me vonesë për seancë e cila tashmë kishte filluar dhe ne jemi ftuar. Rregullorja e thotë qartë se së paku 48 orë përpara duhet të njoftohen deputetët”, tha ai.
Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca tha gjatë asaj seance se procedurat e përshpejtuara i janë imponuar shumicës parlamentare.
“Pastaj shkojmë drejt festave të fundvitit dhe krejt këto ligje që janë vetëm në shqyrtim të parë që mbeten kthehen në zero procedurat. Kjo ka qenë një urgjencë ndoshta e mazhorancës për t’u koncentruar, sidomos këto ligjet që janë në shqyrtim të parë, pastaj me shmangie të kalohet edhe në shqyrtimin e dytë”, tha zoti Konjufca.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Zërin e Amerikës se mund të ketë shkelje kushtetuese lidhur me procedurat e miratimit të projektligjeve.
“Seanca e fundit mundet të konsiderohet si njëra ndër seancat më të parregullta që ka ndodhur në historinë e parlamentarizmit në Kosovë duke u shkelur procedurat me miratimin e projektligjeve dhe veçanërisht te procedura e përshpejtuar. Pra për mbi 16 projektligje janë miratuar me procedurë të përshpejtuar, disa ligje janë miratuar me 15 minuta, 20 minuta”, tha ai.
Një prej projektligjeve më të diksutushme që u dëgrua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese është ai për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kjo është hera e dytë që projektligji hidhet për votim në parlamentin e Kosovës pasi në qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Kosovë e shpalli “të pavlefshëm”, projektligjin e parë duke konstatuar se katër nene të tij bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës kishte akuzuar partitë opozitare se përmes dërgimit të projektligjit në Gjykatë Kushtetuese po provon të pengojë reformat në drejtësi.
Shefit i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, tha se rregullorja e parlamentit e ndalon shprehimisht që një ligj të miratohet në dy leximet brenda një dite.
“Pastaj në përmbajtje është pothuajse i njëjti që e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese dhe ne normalisht nuk mund të bëjmë kompromis me një gjë të tillë”, tha zoti Tahiri.
Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendsoje në pushtet Mimoza Kusari Lila tha sot se dërgimi i këtij ligji në Kushtetuese nga Partia Demokratike tregon frikën e saj.
"Atë çfarë kanë përvetësuar kundërligjshëm kur kanë qenë në pushtet duan ta mbrojnë me mekanizma ligjorë tashmë në opozitë”, tha ajo.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, shkroi në rrjetet sociale se “me këtë veprim, është e qartë se angazhimi i tyre politik nuk ka më të bëjë me aspirata apo vizione për të ardhmen, por thjesht me një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur pasurinë kolosale të fituar padrejtësisht në të kaluarën”. Ajo tha se byroja do të bëhet.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ekziston mundësia që projektligji të rrëzohet sërish në Gjykatën Kushtetuese.
“Nga ajo që kemi parë, nuk janë përfillur opinionet e Komisionit të Venecias, opinionet e Bashkimit Evropian dhe opinionet e Institutit të Kosovës për Drejtësi”, tha ai.
Reformimi i sistemit të drejtësisë nëpërmjet vetingut dhe themelimi i byrosë për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme kanë qenë synimet kryesore të qeverisë së Kosovës. Organizatat që vëzhgojnë punën e sistemit të drejtësisë, vazhdimisht bëjnë thirrje që këto reforma të bëhen me konsensus ndërmjet partive politike e institucioneve të drejtësisë dhe në bashkërendim të plotë me komunitetin ndërkombëtar.