Lidhje

Francë, Macron emëron aleatin François Bayrou si kryeministër


Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi të premten aleatin e tij të qendrës François Bayrou si kryeministër në një përpjekje për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës së thellë politike në vend, pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme në një mocion historik mosbesimi.

73 vjeçari Bayrou, një partner i rëndësishëm në aleancën me parti të qendrës të zotit Macron, ka qenë një figurë e njohur në politikën franceze për dekada. Përvoja e tij politike konsiderohet e një rëndësie kritike në përpjekjet për të rivendosur stabilitetin, pasi asnjë parti e vetme nuk ka shumicën në Asamblenë Kombëtare.

Zyra e Presidentit Macron tha në një deklaratë se zoti Bayrou "është ngarkuar me formimin e një qeverie të re". Ish-kryeministri Michel Barnier dha dorëheqjen javën e kaluar pas një vote mosbesimi lidhur me mosmarrëveshjet për buxhetin, duke e lënë Francën pa një qeveri funksionale.

Në një fjalim drejtuar kombit, zoti Macron u zotua të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të tij në vitin 2027. Zoti Bayrou pritet të zhvillojë bisedime me udhëheqës të partive të ndryshme në ditët në vijim për të zgjedhur ministrat e rinj.

Ky proces duket sfidues sepse aleanca e Presidentit Macron nuk ka shumicën në parlament dhe kabineti i zotit Bayrou do të duhet të sigurojë mbështetjen e ligjvënësve të moderuar si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, për të ruajtur pushtetin. Disa konservatorë pritet të jenë pjesë e qeverisë së re.

Strategjia e Presidentit Macron është që të mos lejojë udhëheqësen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen dhe votat e partisë së saj të përcaktojnë nëse qeveria qëndron apo bie.

Zonja Le Pen luajti rol në rrëzimin e ish-kryeministrit Barnier pas bashkimit të votave të partisë së saj Bashkimi Kombëtar me të majtën, duke bërë të mundur miratimin e mocionit të mosbesimit javën e kaluar.

Kryetari i partisë Jordan Bardella, tha të premten se për momentin partia e tij do të presë të shohë se si do të shkojë rrjedha e ngjarjeve.

"Vijat tona të kuqe ekzistojë ende, ato nuk do të ndryshojnë," paralajmëroi ai.

Zyrtarët e Bashkimit Kombëtar, përfshirë zonjën Le Pen, kanë thënë se duan që çdo ligj të ri buxhetor të mbrojë fuqinë blerëse të popullit francez.

Zoti Bayrou drejton Lëvizjen Demokratike të qendrës, të njohur si MoDem, të cilën ai e themeloi në vitin 2007. Në vitin 2017, ai mbështeti garën e parë presidenciale të zotit Macron dhe u bë një partner me peshë në aleancën centriste të presidentit francez.

Në atë kohë, ai u emërua ministër drejtësie, por dha dorëheqjen shpejt nga qeveria mes një hetimi lidhur me akuzat ndaj partisë së tij për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian.

Një gjykatë e Parisit i rrëzoi këtë vit akuzat ndaj tij dhe shpalli fajtorë tetë zyrtarë të tjerë të partisë, si edhe vendosi një gjobë për forcën politike.

Zoti Bayrou u bë i njohur për publikun francez kur ishte ministër i arsimit nga viti 1993 deri në 1997 në një qeveri konservatore.

XS
SM
MD
LG