Lidhje

Seminari ndërkombëtar "Shkodra në shekuj", për zhvillimin social-ekonomik të rajonit


Në Universitetin e Shkodrës u mbajt sot Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj” me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Europa. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, seminari “Shkodra në shekuj” hedh dritë mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të Shkodrës dhe rajonit verior të Shqipërisë si dhe nevojës së shfrytëzimit të pasurive të tyre për një zhvillim të qëndrueshëm. Sipas PNUD, ky rajon vuan nga nivele të larta të varfërisë. Gjatë 10 viteve të fundit ekonomia e këtij rajoni është rritur me vetëm 16.4 përqind, gati gjysma e rritjes ekonomike të vendit.

Seminari ndërkombëtar "Shkodra në shekuj", për zhvillimin social-ekonomik të rajonit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Rreth 80 studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali Zi dhe Europa po paraqesin studimet e tyre në seminarin ndërkombëtar dy ditor “Shkodra në Shekuj”. Seminari organizohet nga Universiteti i Shkodrës, qendra e studimeve albanologjike dhe bashkia e këtij qyteti dhe i kushtohet trashëgimisë kulturore dhe historike të Shkodrës dhe rajonit verior të Shqipërisë si dhe nevojës për zhvillim të qëndrueshëm të këtij rajoni.

Rektori i Universitetit të Shkodrës, profesor Tonin Gjuraj tha se sfida e sotme është harmonizimi i traditës me kërkesat e një bote gjithnjë e më dinamike dhe në ndryshim.

“A duhet të vazhdojmë t’a quajmë Shkodrën 'E bukura e Ballkanit' siç e përshkroi Edit Durham? Apo duhet të gjejmë një mënyrë të re për ta integruar këtë epitet të së shkuarës me realitetin e sotëm të inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve të menduara mirë ekonomikisht? Kjo pyetje është një thirrje se si mund të ndërtojmë ura midis të kaluarës dhe të ardhmes duke ruajtur autenticitetin e qytetit dhe duke e bërë atë pjesë aktive të botës moderne”.

Për studiuesin Ardian Ndreca, pas viteve 90 qytetet shqiptare janë shpërfytyruar me pretekstin e zhvillimit dhe pa u konsultuar me shoqërinë civile.

“Le të përpiqemi edhe sot me gjetë, nëpërmjet universitetit, se dija duhet t’i paraprijë edhe politikës, edhe nismave qytetare. Një simbiozë edhe për zhvillimin, edhe për kulturën dhe traditën e një qyteti si Shkodra, i cili, për dekada, sigurisht nuk ka kryesu në Shqipni për asnji gja”.

Shkodra dhe zona veriore e Shqipërisë vlerësohet si më e varfëra në Shqipëri. Sipas PNUD, gjatë dhjetë viteve të fundit ekonomia e rajonit verior është rritur me vetëm 16.4 për qind, ndërkohë që ekonomia në shkallë vendi ka një rritje prej rreth 28 përqind.

Sipas profesoreshës së Universitetit Salentos në Itali, Valentina Ndou, është e rëndësishme të përfitohet nga përvoja e vendeve të zhvilluara për një ekonomi qarkulluese, duke zgjatur përdorimin dhe rikuperimin efikas të burimeve natyrore dhe duke mirëadministruar mbetjet.

“ Kemi burime, kemi resorte, kemi kapacitete për ta bërë Shkodrën një qytet inovacioni, por është e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim mes strukturave të ndryshme dhe të jemi të vetëdijshëm se është e nevojshme të krijohet një platformë për bashkëpunim, inovacion, në rang lokal. Dhe tani është momenti”.

Në seminar u theksua nevoja e bashkëpunimeve rajonale si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë kulturor. Drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Naim Berisha, veçoi punën e përbashkët për hartimin e fjalorit të gjuhës shqipe, enciklopedisë si dhe bashkëpunimin me institucionet e Shqipërisë.

“Kësaj radhe ne kemi sjell literaturë, disa numra të revistave tona “Gjurmime albanologjike”, “Gjuha Shqipe”, kolanave “Albanologji dhe kumtime gjuhësore”. Pra, në kuadër të këtij bashkëpunimi ne shkëmbejmë literaturë, kontribuojmë me aktivitetet tona në mënyrë të ndërsjelltë, shikojmë mundësitë për aktivitete të përbashkëta dhe e kemi diskutuar që këtë bashkëpunim në një të ardhme të afërt ta materializojmë me një marrëveshje ose memorandum të bashkëpunimit”.

Seminari ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj” e ka fillesën e tij në qershor të vitit 1993, pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Seminari u zhvillua një herë në dy vite, deri në vitin 2015 kur u ndërpre për të rifilluar sot me nismën e Universitetit të Shkodrës.

XS
SM
MD
LG