Lidhje

Biden: SHBA do të bashkëpunojë me partnerët për alternativat në Siri, pas përmbysjes së al-Assadit


Presidenti Joe Biden tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri për të shqyrtuar alternativat dhe për të menaxhuar rrezikun pasi kryegritësit përmbysën Presidentin sirian Bashar al-Assad.

Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fqinjët e Sirisë gjatë periudhës së tranzicionit dhe do të ndjekin me kujdes retorikën dhe veprimet e grupeve rebele.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinë zyrtarisht vendndodhjen e Asadit, por vuri në dukje njoftimet sipas së cilave ai kishte shkuar në Moskë.

Ai tha se al-Assad "duhet të mbahet përgjegjës". Zoti Biden tha se Siria është në një periudhë rreziku dhe pasigurie dhe se është hera e parë në vite që as Rusia, as Irani dhe as organizata militante e Hezbollahut nuk kanë një rol me ndikim në Siri.

"Për vite të tëra, mbështetësit kryesorë të Assadit kanë qenë Irani, Hezbollahu dhe Rusia. Por gjatë javës së fundit, mbështetja e tyre u shpërbë, sepse të tre ata janë shumë më të dobët sot se sa ishin kur unë mora detyrën", tha zoti Biden, i cili u bë president në vitin 2021.

Presideti Biden tha se forcat amerikane kryen të dielën mbi 10 sulme me preçizion të lartë brenda Sirisë duke vënë në shënjestër kampet dhe operativët e grupit militant Shteti Islamik.

"Është një moment që ofron mundësi historike për popullin e Sirisë i cili ka vuajtur për një kohë të gjatë, që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e vet krenar. Është gjithashtu një moment rreziku dhe pasigurie," tha zoti Biden. “Ndërsa ne të gjithë bëjë pyetjen se çfarë vjen më pas, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë dhe palët e interesuara në Siri për t'i ndihmuar ata të përfitojnë nga mundësia për të menaxhuar rrezikun”, shtoi zoti Biden.

XS
SM
MD
LG