Lidhje

Prokuroria e Posaçme çon për gjykim kryebashkiakun e Devollit


Kryebashkiaku i Devollit Eduard Duro, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme
Kryebashkiaku i Devollit Eduard Duro, duke dalë nga Prokuroria e Posaçme

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi të shtunën, se ka dërguar për gjykim kryetarin socialist të Bashkisë së Devollit, Eduard Duro, dhe katër ish zyrtarëve të tjerë vendorë. Shkak është bërë dhënia e një leje për një pikë karburanti në zonën e Bilishtit, e cila sipas hetimit rezulton të jetë lëshuar në shkelje të ligjit. Për kryebashkiakun Duro dhe tre vartës të tij, Astrit Seferkollin, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë dhe zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo, është ngritur akuza “Shpërdorim detyre”, në bashkëpunim, ndërsa për ish administratoren e komanduar të Njësisë administrative Bilisht, Vojsava Bregu, akuza “Shpërdorim detyre”.

Hetimet janë shtrirë deri në vitin 2015, kur zonja Bregu i mundësoi shoqërisë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, lejen e parë “për tregtimin me pakicë të karburanteve+GLN”. Sipas Prokurorisë, në atë kohë shoqëria tregtare “nuk ka qenë e pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar, si aktin e kontrollit, lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit dhe autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si rrugë interurbane dytësore”.

Në vitin 2020, kryebashkiaku Duro dhe tre vartësit e tij, e pajisën të njëjtën shoqëri me një autorizim po për tregtimin me pakicë të karburanteve. Edhe në këtë rast, sipas hetimeve, shoqëria “nuk ka qenë e pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar si çertifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës”. Për më tepër që për pikën e karburantit, një vit më parë kishte patur një vendim të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, për prishjen e saj.

Sipas Prokurorisë, si pasojë e veprimeve të zyrtarëve vendor “prej vitit 2015 dhe në vijim, nga dhënia e lejes dhe autorizimit në kundërshtim me ligjin janë realizuar përfitime të padrejta nga shoqëria” tregtare.

Zoti Duro mësohet të ketë mohuar akuzat, dhe pak ditë më parë i deklaroi mediave se pavarësisht se ishte marrë i pandehur dhe ndaj tij ishte ngritur akuzë, ai nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.

XS
SM
MD
LG