Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet që pas disa ditësh të nisë seancën mbi nismat për ndryshimin e neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që mund të preket dhe përdorimi i gjuhës shqipe. Kjo ka nxitur reagime te shumta në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim e quan këtë përpjekje të qeverisë për të destabilizuar vendin, ndërsa intelektualë shqiptarë i bëjnë thirrje gjykatës që t’u shmanghet vendimeve të njëanshme dhe të ndikuara nga politika.
Paralajmërimet e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin e neneve të ligjit që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe kanë nxitur reagime të forta tek një pjesë e partive politike dhe në opinionin publik si dhe kritika e akuza të ndërsjella në mesin e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Gjykata Kushtetuese pritet të mblidhet me datë 11 të këtij muaji për të shqyrtuar nismat e subjekteve dhe individëve, të cilët e kontestojnë avancimin e gjuhës shqipe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve të miratuar në vitin 2019.
Ndonëse, gjuha shqipe u avancua dukshëm me këtë ligj, megjithatë kjo nuk u zbatua në tërësi në praktikë. Tani, sipas anëtarëve shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese, gjykata pritet të shfuqizojë gjysmën e neneve që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe.
Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët e opozitës paralajmërojnë se shfuqizimi i dispozitave të ligjit që do të degradonin përdorimin e gjuhës do të shkelte vetë Marrëveshjen e Ohrit, e cila solli paqen në këtë shtet me marrëdhënie të brishta ndëretike.
BDI-ja vlerëson se këto veprime janë pjesë e një fushate të orkestruar nga qeveria jolegjitime, siç e quan dhe “përbëjnë kërcënim serioz për stabilitetin e vendit dhe harmoninë ndëretnike”.
Kjo parti e quan “plan monstruoz dhe jashtëzakonisht të rrezikshëm” të gjykatës dhe qeverisë, ndërsa u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë në në të që “të ndalin këtë çmenduri, pasi pasojat do të jenë të paimagjinueshme”.
Partitë e koalicionit “Vlen” që bën pjesë në qeveri fajësojnë BDI-në se nuk kishte qenë në gjendje ta zyrtarizojë gjuhën shqipe derisa ishte në pushtet, por nga ana tjetër i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që të heq dorë nga planet për degradimin e shqipes. Izet Mexhiti, nënkryetar i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i Lëvizjes Demokratike u bën thirrje qyetarëve dhe institucioneve që ta trajtojnë me qetësi këtë çështje:
“E ftoj edhe Gjykatën Kushtetuse ta shohë këtë si çështje politike jo vetëm juridke, për shkak se Ligji i gjuhëve del nga Marrëveshja e Ohrit që është shtyllë e këtij shteti të ri. Kushtetuta e re është ndërtuar mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe kushdo që prek Marrëveshjen e Ohrit ka prekur marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e këtij shteti”, shprehet Mexhiti.
Disa qindra shqiptarë, në mesin e të cilëve rektorë dhe profesorë universitetesh në Maqedoninë e Veriut kanë nënshkraur një peticion dërguar Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se puna e gjykatës ka nxitur tensione dhe pakënaqësi sa herë që ka marrë vendime të njëanshme. Intelektualët shqiptarë vlerësojnë se gjykata është vënë në shërbim të politikës, ndërsa i bënë thirrje asaj që të mos rrezikojë vlerat kushtetuese dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Profesori i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës, Mersim Maksuti në një bisedë me Zërin e Amerikës thotë se gjykata nuk guxon të prek ligjet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.
“Gjykata Kushtetuese ka të gjitha argumentet juridike se nuk guxon të preket, të cënohet, të hiqen disa nga dispozitat më të rëndësishme të ligjit, për arësye se gjuha shqipe bazën e saj e ka me kushtëtutë; sepse vetë kushtetuta njeh zyrtarizmin e saj në situata të caktuara. Madje, një paragraf i kushtetutës në amandamentin e pestë thotë se gjuhë zyrtare në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, krahas gjuhës maqedone dhe alfabetit cirilik të saj është edhe gjuha shqipe, gjuha e qytetarëve të cilën e flasin 20%, por e përcaktuar me ligj”, thotë eksperti.
Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve që hyri në fuqi në vitin 2019 nuk e dekretoi presidenti i atëhershëm maqedonas Gjorgje Ivanov, ndërsa dhjetra organizata e individë me qëndrime nacionaliste ngritën nisma për shfuqizimin e tij, ndër ta një zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së.
Gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Hajdari kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancën e 11 dhjetorit dhe sipas tyre vendimet eventuale të njëanshme nuk do të jenë legjitime.
Kryeministri Hrisrtijan Mickoski, i cili para pak muajsh paralajmëronte se vendit i kanoset destabilizimi nga BDI-ja, tani thotë se nuk ekziston një rrezik i tillë.