Lidhje

Konventa e Bernës: Keqardhje për vijimin e punimeve në aeroportin e Vlorës  


Konventa e Bernës
Konventa e Bernës

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës në dokumentin për Shqipërinë pas takimit të 44, të mbajtur në Strasburg nga data 2 deri në 6 dhjetor shpreh “keqardhje të fortë” për vijimin e punimeve në aeroportin e Vlorës dhe “shqetësim të thellë” lidhur me ndryshimet e fundit në Ligjin e Zonave të Mbrojtura nga qeveria shqiptare.

Dokumenti për Shqipërinë erdhi pas shqyrtimit nga Komiteti më 4 dhjetor të dy raporteve, atij të qeverisë shqiptare dhe raportit të dy organizatave mjedisore shqiptare (EcoAlbania dhe PPNEA) në rolin e ankuesit, lidhur me ndikimet në Lumin Vjosë dhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Komiteti i Konventës së Bernës shpreh "keqardhjen e fortë që ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës vazhdoi pavarësisht nga dispozitat e qarta të Rekomandimit Nr. 219 (të vitit 2023) dhe thirrjet e përsëritura nga Komiteti i Bernës për të pezulluar ndërtimin e aeroportit deri sa të kryhen Vlerësimet e duhura të Ndikimit në Mjedis (VNM)."

Komiteti i Bernës gjithashtu shpreh “shqetësim të thellë se ligji i ri për Zonat e Mbrojtura mund të bie ndesh me parimet dhe detyrimet e parashikuara në Konventën e Bernës, duke lehtësuar potencialisht shkeljet e dispozitave të saj”. Komiteti kërkoi “rishqyrtim për të siguruar përputhjen me Konventën”.

Komitetit i Konventës së Bernës shpreh më tej në dokumentin për Shqipërinë “keqardhje për vendimin e qeverisë shqiptare për autorizimin e aktiviteteve shtesë në peizazhet e mbrojtura dhe heqjen e zonave, pasi kjo do të përbëjë kërcënime të rëndësishme për mbrojtjen e biodiversitetit”.

Ndërkohë Komiteti i Konventës së Bernës përshëndeti qeverinë shqiptare “për pezullimin e punës në projektin e furnizimit me ujë në bashkinë e Himarës, duke ndjekur udhëzimet e ofruara nga eksperti i organizatës botërrore për ruajtjene natyrës (IUCN), dhe për të përfshirë komunitetet lokale në diskutime dhe procese vendimmarrëse”.

Komiteti i Konventës së Bernës i inkurajon autoritetet “që të angazhohen në mënyrë aktive me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara për të çuar përpara zbatimin e Rekomandimit të vit të shakur për pezullimin e punimeve për aeroportin e Vlorës”.

Komiteti riafirmon angazhimin e Konventës së Bernës “për të ofruar mbështetje dhe ekspertizë të vazhdueshme për të gjitha palët dhe inkrujon autoritetet shqipatre të angazhohen dhe të përfshijnë shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara në monitorimin e jetës së egër të zones”.

Konventa e Bernës njofton mbajtjen e çështjes së hapur dhe për shkak të urgjencës së çështjes, u kërkoi të dy palëve të sigurojnë përditësimin lidhur me rekomandimet e viti të shkuar si bazë për raportimin e tyre në mbledhjen e Komitetit që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Organizatat mjedisore shqiptare kishin kërkuar gjatë sesionit të mbajtur në Strasburg që “Konventa e Bernës, ta mbajë çështjen të hapur dhe palët të raportojnë dhe përditësojnë mbi çështjet për sa kohë rekomandimet e vitit të shkuar nuk janë përmbushur sipas tyre nga qeveria shqiptare”.

Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare kanë pohuar në raportin e paraqitur Komitetit të Konventës se “ndërtimi i Aeroportit të Vlorës është planifikuar me përpikëri për të minimizuar shkatërrimin e habitatit dhe vlerësimet e detajuara të Ndikimit në Mjedis (VNM) janë kryer përpara fillimit të projekti, duke identifikuar habitatet kritike dhe duke propozuar masa për të zbutur efektet negative.”

Konventa e Bernës, e njohur zyrtarisht si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër Evropiane dhe Habitateve Natyrore, është një traktat ndërkombëtar detyrues për ruajtjen e natyrës. Shqipëria e nënshkroi konventën në vitin 1995, dhe ajo hyri në fuqi në maj 1999.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga "Mabetex" e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, "Yda Group", e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions”, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 100 milion dollarë. Gjatësia e pistës pritet tëshkojë deri në 3.2 kilometra dhe terminali i pasagjerëve do të ketë sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.

Pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në zonën ku po ndërtohet aeroporti dhe deklaroi se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sidomos për rajonin e jugut dhe infrastruktura është duke u zhvilluar me ritme të shpejta.

“Tani duhet punë natë e ditë që të arrijmë që sezoni i ardhshëm veror të përfshihet në aktivitetin e aeroportit dhe në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe pastaj me siguri shumë gjëra të tjera pozitive do të vijnë nga prania e aeroportit”, tha Rama.

Sipas autoriteteve shqiptare në prill të vit të ardhshëm mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut.

Sipas vlerësimit të organizatave mjedisore Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve.

Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut.

Organizatat mjedisore shqiptare “PPNEA” dhe “AOS”, të mbështetura edhe nga organizata europaine “EuroNatur” kanë bërë nëntorin e vitit 2022 një padi ndaj disa institucioneve vendimmarrese shqiptare në Gjykatën Administrative kundër parregullsive dhe shkeljeve ligjore që ato pretendojnë në projektin e qeverisë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe procesi gjyësor është në shqyrtim e sipër.

Sipas organizatave ndërtimi i aeroportit ka ngritur shqetësime për shkatërrimin e habitatit, rënien e popullatave të shpendëve dhe masat e pamjaftueshme të mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG