Lidhje

Rusia njofton marrjen nën kontroll të dy fshatrave në zona kyçe në lindje të Ukrainës


Një burrë kalon me biçikletë përpara zyrës së postës, e cila u shkatërrua nga një sulm ajror rus në qytetin Kurakhove, rajoni Donetsk, Ukrainë, më 7 nëntor 2024.
Një burrë kalon me biçikletë përpara zyrës së postës, e cila u shkatërrua nga një sulm ajror rus në qytetin Kurakhove, rajoni Donetsk, Ukrainë, më 7 nëntor 2024.

Rusia njoftoi të premten se forcat e saj kishin marrë kontrollin e një fshati pranë qytetit stretegjik Pokrovsk dhe një tjetër pranë qytetit industrial Kurakhove, duke fituar terren në dy zona kyçe në vijën e frontit, në lindje të Ukrainës.

Prej muajsh të tërë, Moska po përparon në Ukrainën lindore, duke shfrytëzuar avantazhin ndaj ushtarëve ukrainas me më pak armatime në dispozicion.

Njësitë e ushtrisë ruse "çliruan vendbanimet" e Sukhi Yalyt dhe Pustynkas në rajonin lindor të Donetskut, tha ministria ruse e Mbrojtjes në konferecën e përditshme për shtypin.

Zona e Sukhi Yalyt është rreth 13 kilometra në jugperëndim të Kurakhovës, një qytet industrial strategjik në brigjet e një rezervuari që Moska po përpiqet ta marrë nën kontroll.

Pustynka shtrihet në jug të qytetit Pokrovsk, një qendër logjistike në kryqëzimin e akseve rrugore dhe hekurudhore që përdoren për të furnizuar trupat ukrainase në vijën e frontit.

Konflikti gati tre-vjeçar është përshkallëzuar ndjeshëm muajt e fundit, pasi Kievi dislokoi raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Shtetet e Baskuara dhe Britania për sulme në tokën ruse dhe Moska goditi Ukrainën me raketë eksperimentale hipersonike si kundëpërgjigje.

Ukraina është përpjekur të arrijë një pozicion sa më të sigurt që të jetë e mundur përpara kthimit në krye të Shtëpisë së Bardhë në janar, të Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Republikani Trump ka premtuar se me ardhjen në pushtet do t'i japë fund me shpejtësi konfliktit, duke ngritur shqetësimet në Kiev se Ukraina do të detyrohet të bëjë lëshime masive territoriale ndaj Moskës.

Ndërkohë, të premten, dronët ukrainas goditën qytetin Oleshky, të pushtuar nga Rusia, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë, njoftoi guvernatori i rajonit i emëruar prej Moskës.

Në pamjet e shpërndara nga Vladimir Saldo, guvernatori i caktuar nga Rusia në rajonin Kherson, në jug të Ukrainës, shfaqeshin ato që dukej të ishin trupa të shtrirë në një rrugë dhe jashtë një ndërtese, të mbuluar me batanije.

Kievi nuk komentoi, por Ukraina mohon kryerjen e sulmeve ndaj objektivave civilë në rajonet e kontrolluara nga Rusia.

Oleshky kishte një popullsi prej rreth 20 mijë banorësh përpara se Moska të niste sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës, në shkurt 2022.

Qyteti shtrihet në rajonin Kherson, në jug të Ukrainës, përgjatë bregut lindor të lumit Dnipro që kontrollohe nga Rusia.

Lumi, de facto, është si një vijë fronti mes forcave të Moskës dhe Kievit, ndërsa të dyja palët akuzojnë rregullisht njëra-tjetrën për goditje me artileri dhe dronë.

XS
SM
MD
LG