Deputetët e partive opozitare në Kosovë, anëtarë të komisionit parlamentar për zbulim, të cilët po qëndrojnë këto ditë në Uashington si pjesëmarrës në një konferencë për çështje të sigurisë, vlerësuan se situata e sigurisë në Kosovë mbetet e brishtë pas shpërthimit që dëmtoi kanalin për furnizim me ujë nga liqeni i Ujmanit.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i tha Zërit të Amerikës në ambientet e Senatit amerikan në Uashington, ku po mbahet konferenca, se incidenti ishte “një sulm me premisa shumë të rrezikshme për sigurinë” e Kosovës. Ai tha se Kosova duhet të investojë “më shumë në ndërtimin e aleancave politike me Perëndimin”.
Shefja e Komisionit parlamentar për zbulim, deputetja Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërkohë, kritikoi siç u shpreh ajo “lojën politike me veriun e Kosovës” duke vlerësuar se “çdo ngritje tensionesh në veri, pezullon punën dhe aktivitetin e shtetit në rrafshin ndërkombëtar dhe prish raportet tona me aleatët tanë ndërkombëtarë.”