Në Shqipëri, me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular. Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të zotit Veliaj. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa "veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal". Ndaj zotit Veliaj ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë "5D", që zotërohej nga ish drejtorë të Bashkisë. Zoti Veliaj reagoi në mbrëmje duke deklaruar se mbështet në çdo hap veprimet e Prokurorisë
Oficerët e policisë gjyqësore të BKH, u shfaqën mëngjesin e sotëm në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa ky i fundit ndodhej në Gjermani për një vizitë zyrtare, sic e njoftoi më vonë përmes një postimi në Facebook. Oficerët e Byrosë kombëtare të hetimit kanë sekuestruar telefonin celular të Ajola Xoxes, bashkëshortes së zotit Veliaj.
Më pas, mësohet se ata kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e vëllait të kryebashkiakut, si dhe në godinën në qendër të Tiranës, ku ndodhen zyrat e kompanisë së zonjës Xoxe, e cila kryen aktivitete në fushën e artit dhe organizimit të eventeve të ndryshme.
Kontrollet janë zhvilluar mbështetur në një urdhër të Gjykatës së Posaçme, ndërsa vetë Prokuroria deklaroi se nuk mund japë detaje duke qenë se ndodhet në fazën paraprake të hetimeve dhe se sot kishte kryer disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal.
Zoti Veliaj reagoi në mbrëmje përmes një statusit në rrjetin social “X” duke shkruar se “hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap”.
Në qëndrimin e tij, zoti Veliaj sulmoi “opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit” apo dhe “të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta”, të cilat siç shprehet ai, prej një kohe të gjatë bëjnë hetimin dhe gjykimin e tij. Kryebashkiaku shkroi më tej se ai dhe familjarët e tij do të jenë “gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve”.
Në fund të muajit prill të këtij viti, zoti Veliaj u thirr në Prokurorinë e Posaçme ku qëndroi për më shumë se 7 orë, për të dhënë shpjegime për inceneratorin e Tiranës. Në dalje, ai përsëriti se Bashkia që ai drejton nuk kishte lidhje me procesin e inceneratorëve.
Në fund të vitit të kaluar drejtori më i rëndësishëm i Bashkisë Taulant Tusha u arrestua në kuadër të hetimeve për impiantin e trajtimit të mbetjeve të Tiranës, ndërsa pak muaj më pas, zoti Veliaj mori një tjetër goditje kur në mars u arrestuan dy ish drejtorë të Bashkisë. Për katër të tjerë u dhanë masa më të lehta. Dyshimet e Prokurorisë ishin se dy drejtorët Redi Molla dhe Maringlen Qato, zotëronin një kompani private përmes së cilës kishin përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku u distancua prej tyre duke deklaruar se “asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë”.
Kjo situatë duket se ishte shkaku kryesor për të cilin ai u shmang nga drejtimi politik i partisë socialiste në Tiranë, dhe u la jashtë një angazhimi në vijë të parë për zgjedhjet e ardhshme politike.