Lidhje

Rumani, anulohet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale


Gjykata Kushtetuese e Rumanisë anuloi sot raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vendit, disa ditë pas akuzave se Rusia kishte zhvilluar një fushatë të koordinuar në internet në mbështetje të kandidatit të ekstremit të djathtë që fitoi raundin e parë.

Vendimi i pashembullt i Gjykatës Kushtetuese – i cili është përfundimtar – erdhi pasi Presidenti Klaus Iohannis bëri publik të mërkurën informacione zbulimi sipas së cilave Rusia zhvilloi një fushatë të gjerë me përfshirjen e mijëra llogarive të mediave sociale për të mbështetur Calin Georgescun në platforma si TikTok dhe Telegram.

Pavarësisht se ishte një kandidat jo shumë i njohur që deklaroi zero shpenzime për fushatën, zoti Georgescu fitoi numrin më të madh të votave më 24 nëntor. Ai pritej të përballej me reformisten Elena Lasconi të partisë Bashkimi për të Shpëtuar Rumaninë në një balotazh të dielën. Tani pritet të caktohet një datë e re për të përsëritur raundin e parë.

Informacioni i zbulimit vinte nga Shërbimi Informativ Rumun, Shërbimi Informativ i Jashtëm, Shërbimi i Posaçëm i Telekomunikacionit dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Në dritën e publikimit të këtij informacioni, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë mori padi të shumta ligjore ku i kërkohej që të anulonte votimin e raundit të parë, por nuk është ende e qartë se mbi çfarë arsyetimi e mori vendimin.

E njëjta gjykatë javën e kaluar urdhëroi një rinumërim të votave të raundit të parë, gjë që shtoi polemikat e shumta që kanë shoqëruar një cikël kaotik zgjedhor.

XS
SM
MD
LG