Lidhje

OSBE, vendet perëndimore kritika Rusisë për luftën në Ukrainë


Nga takimi ministerial i OSBE-së në Maltë
Nga takimi ministerial i OSBE-së në Maltë

VALLETA - Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kritikuan ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov për luftën në Ukrainë të enjten, në një takim vjetor në Maltë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ukraina dominoi politikisht takimin e ministrave të jashtëm, megjithëse të dërguarit duhej të miratonin zyrtarisht edhe disa marrëveshje, përfshirë në lidhje me pozicionet e zyrtarëve të lartë në organin e sigurisë dhe të drejtat e njeriut, ku fuqitë perëndimore shpesh akuzojnë Rusinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe normave të tjera ndërkombëtare.

Radoslaw Sikorski
Radoslaw Sikorski

"Mesazhi im për delegacionin rus është ky: Ne nuk mashtrohemi nga gënjeshtrat tuaja. Ne e dimë se çfarë po bëni. Ju po përpiqeni të ringrini perandorinë ruse dhe ne nuk do t'ju lejojmë. Do të rezistojmë në çdo hap”, tha në një fjalim Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha tha në takim se vendi i tij po vazhdonte të luftonte për të drejtën e tij për të ekzistuar.

Andrii Sybiha
Andrii Sybiha

"Dhe krimineli rus i luftës në këtë tryezë duhet ta dijë: Ukraina do ta fitojë këtë të drejtë dhe drejtësia do të mbizotërojë", tha ai.

Zoti Sikorksi, zoti Sybiha dhe të tjerë u larguan nga salla gjatë fjalimit të ministrit rus Lavrov, siç ndodh shpesh në takimet ndërkombëtare, dhe zoti Lavrov mungoi kur sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbajti fjalimin e tij.

Kjo ishte vizita e parë e zotit Lavrov në një vend anëtar të Bashkimit Evropian, që kur Rusia filloi sulmin e saj në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurt 2022. Moska shpesh ka fajësuar Perëndimin për luftën.

"Më vjen keq që kolegu ynë, z. Lavrov, u largua nga salla, duke mos treguar mirësjelljen për të na dëgjuar, ashtu siç dëgjuam ne fjalën e tij. Dhe sigurisht, kolegu ynë rus është shumë i aftë për t’i përmbytur dëgjuesit me një cunami dezinformimi", tha sekretari Blinken në fjalën e tij në takim.

Antony Blinken
Antony Blinken

Nuk ishte planifikuar një takim mes ministrit Lavrov dhe sekretarit Blinken.

Mbledhja e OSBE-së ku merrnin pjesë ministrat e jashtëm dhe zyrtarë të tjerë nga 57 vende nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia Qendrore është lënë në hije nga rikthimi i afërt në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump-it, këshilltarët e të cilit po qarkullojnë propozime për t'i dhënë fund luftës, ku parashikohet heqja dorë nga pjesë të mëdha të Ukrainës.

Lufta “e nxehtë”

Ndërsa Presidenti i zgjedhur Trump do ta marrë detyrën muajin e ardhshëm, fuqitë perëndimore përsëritën mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe Rusia përsëriti kritikat e saj ndaj OSBE-së, për të cilën zoti Lavrov tha vitin e kaluar se "në thelb po shndërrohej në një zgjatim të NATO-s dhe Bashkimit Evropian".

Në fjalimin e tij, zoti Lavrov e krahasoi situatën aktuale me Luftën e Ftohtë, duke thënë se ekziston një rrezik më i madh që ajo të bëhet "e nxehtë".

"Ne nuk duam të sulmojmë askënd. Shtetet e Bashkuara... po bëjnë luftë kundër nesh duke përdorur forcat neo-naziste ukrainase. I furnizojnë me armë, i ndihmojnë të përdorin armë me rreze të gjatë veprimi kundër territorit tonë", tha më pas zoti Lavrov në një konferencë për shtyp. Shtetet perëndimore dhe Ukraina e kundërshtojnë analogjinë me nazizmin.

Sergei Lavrov
Sergei Lavrov

OSBE-ja është pasardhëse e një organizmi që u krijua gjatë Luftës së Ftohtë, në mënyrë që lindja dhe perëndimi të angazhoheshin me njëri-tjetrin. Në vitet e fundit, veçanërisht që kur Rusia sulmoi Ukrainën, Moska ka përdorur atë që është praktikisht e drejta e vetos që kanë vendet anëtare për të bllokuar vendimmarrjen.

Sipas diplomatëve, Armenia dhe Azerbajxhani po bllokojnë këtë vit buxhetin e OSBE-së, për çështje që lidhen me konfliktin e tyre në territorin malor të Nagorno-Karabakut.

Diplomatët thonë se një marrëveshje u arrit këtë javë për të plotësuar katër poste të larta të OSBE-së, përfshirë atë të sekretarit të përgjithshëm, i cili do të merret nga Feridun Sinirlioglu i Turqisë, i cili ishte ministër i jashtëm në një qeveri të përkohshme në vitin 2015.

Vendimi më i rëndësishëm vjetor, se kush do të jetë vendi që do të mbajë kryesinë vjetore të radhës të OSBE-së, është marrë prej kohësh. Finlanda do ta mbajë këtë post për 50-vjetorin e Aktit Final të Helsinkit, dokumenti që hodhi themelet për OSBE-në e tanishme.

XS
SM
MD
LG