Lidhje

Pse Rusia dhe Ukraina po përshkallëzojnë luftën?


Dy sondazhe të kryera së fundmi, njëri në Rusi dhe tjetri në Ukrainë thonë se rusët dhe ukrainasit duan një fund sa më të shpejtë të luftës përmes negociatave. Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, situata në terren po përshkallëzohet pasi të dyja palët duan të forcojnë pozicionet e tyre para rikthimit të Presidentit të zgjedhur Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Pse Rusia dhe Ukraina po përshkallëzojnë luftën?
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Pak ditë më parë Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Rusia kreu sulm me një raketë hipersonike me aftësi bërthamore në Ukrainë. Ky sulm ngriti pyetje të mëtejshme se pse përshkallëzimi po ndodh vetëm disa javë para transferimit të pushtetit në Uashington.

Gjenerali Sergei Karakayev, shefi i Forcave Strategjike për Raketat të Rusisë, theksoi aftësitë shkatërruese të raketës së re të Rusisë.

“Bazuar në qëllimin dhe rrezen e kësaj arme, ajo mund të arrijë objektiva në të gjithë Evropën”, tha gjenerali Karakayev.

Presidenti Putin tha se sulmi me këtë raketë ruse ishte një përgjigje ndaj vendimit të administratës së Presidentit Biden që Ukraina të shfrytëzonte raketa të dërguara nga Amerika për sulme thellë brenda Rusisë. Ai tha se kishte për qëllim të tregonte se Rusia, nëse dëshiron, mund të godasë thellë në territorin e NATO-s.

Analistët thonë se sulmet me raketa janë pjesë e strategjisë së Rusisë dhe Ukrainës për të treguar forcë dhe për të përforucar pozicionin e tyre nëse shkohet në negociata.

Kremlini akuzon Presidentin në largim Joe Biden se ka sabotuar përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës, siç premtoi zoti Trump gjatë fushatës së tij.

Kjo është një akuzë që Rusia e ka bërë edhe më parë.

“Në fillim të mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, planet e tij për një dialog normal me Federatën Ruse, u minuan në një masë të madhe. Ka mundësi që sërish po shohim të njëjtën gjë tani”, tha Sergei Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.

Në Uashington, disa analistë thonë se Rusia nuk është e interesuar të ndalojë luftën, me ose pa Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.

“Kjo luftë është kthyer në një gjë normale për elitën ruse, e cila dëshiron që ajo të vazhdojë sepse gjeneron rritje ekonomike. Çfarë do të ndodhë nëse ndalet? Ku do të shkojnë njerëzit që janë tani në krye?”, thotë për Zërin e Amerikës Vladislav Inozemtsev nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ndërkohë, një sondazh i ri nga Qendra Analitike ‘Yuri Levada’ në Moskë sugjeron se opinioni publik rus duket se po zhvendoset në favor të negociatave për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në Ukrainë, një sondazh i fundit i Gallupit zbulon se mesatarisht 52% e ukrainasve të anketuar do të donin të shihnin vendin e tyre të negocionte për t'i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur.

Nëse këto të dhëna qëndrojnë, mund të krijohen kushtet që Presidenti i zgjedhur Trump ta çojë përpara planin e tij dhe t'i bëjë të dyja palët të negociojnë një armëpushim pavarësisht përshkallëzimit aktual.

XS
SM
MD
LG