Lidhje

Kosovë: Autoritetet thonë se furnizimi me ujë po normalizohet pas shpërthimit të së premtes


Autoritetet në Kosovë thanë se po normalizohet furnizimi me ujë nga liqeni i Ujmanit ne veri të vendit, që u ndërpre përkohësisht pas shpërthimit të së premtes në mbrëmje, për të cilin Prishtina fajësoi grupet e mbështetura nga Serbia.

Të dielën Beogradi mohoi sërish çfarëdo përfshirjeje në sulmin që dëmtoi kanalin furnizues në Zubin Potok rreth 60 kilometra në veri të Prishtinës, nëpërmjet të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit që janë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike.

Të shtunën autoritetet thanë se janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin për të cilin policia dyshon se është përdorur një sasi e mjeteve shpërthyese prej rreth 15 deri në 20 kilogramë.

Prishtina e cilësoi sulmin si një akt terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian, i cili bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një konference shtypi të dielën në mbrëmje përsëri fajësoi Serbinë për përfshirje.

“Ne besojmë se Serbia po financon këto sulme kriminale në luftën kinetike kundër Kosovës. Por kjo po mundësohet në bashkëpunim dhe bashkërendim me Federatën Ruse”, tha ai.

Të dielën Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë akuzat e Prishtinës se Beogradi qëndron parapa sulmit.

“Si shtet serioz, ne nuk ishim të përfshirë në akuza. Nuk kemi thënë dhe nuk do ta them as sot se (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti ka urdhëruar drejtpërdrejt sulmin. Hetimi do të tregojë. Sepse ne jemi duke kryer hetimin tonë, natyrisht. Kemi dyshime të caktuara, por hetimet më në fund do të tregojnë se kush e ka porositur. Besojmë se kemi disa njohuri edhe se kush mund të jetë autori”, tha ai.

"Dhe pastaj ata (policët e Kosovës) vazhduan me pushtimin e mëtejshëm. Marrja e territorit të ri - pompat e benzinës, kryqëzimet, ngacmimi i serbëve në çdo vend. Është interesante që ju nuk bëni kështu një hetim serioz. Kjo është e gjitha një shfaqje për publikun ndërkombëtar dhe unë do ta shpjegoj pse”, tha zoti Vuçiç.

Presidenti serb tha se Serbia ndodhet nën një sulm “hibrid”, që synon “të ngadalësojë” rrugën evropiane të Serbisë, meqë javën e ardhshme pritet vendimi për hapjen e kapitujve të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Sulmi i së premtes u dënua gjerësisht nga diplomacia perëndimore e cila i ofroi mbështetje Prishtinë në përballimin e situatës së krijuar pas tij.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller shkroi të dielën në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara e dënojnë sulmin e 29 shtatorit në kanalin e liqenit të Ujmanit.

“Ne do të mbështesim përpjekjet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësit dhe do të vlerësojmë të gjitha ofertat e mbështetjes për këtë përpjekje”, shkroi ai.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore.

Sulmi vetëm sa ka shtuar tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

XS
SM
MD
LG