Lidhje

Konventa e Bernës pritet të shqyrtojë ndikimet në Lumin Vjosë dhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës


Aeroporti i Vlorës
Aeroporti i Vlorës

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës pritet të shqyrtojë në sesionin e 44 që mbahet në Strazburg nga data 2 deri më 6 dhjetor ndikimet në Lumin Vjosa në Shqipëri dhe ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Konventa e Bernës, e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane, është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës.

Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1995 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 1999.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Konventa, Komitetit të Bernës pritet t`i paraqiten dy raporte, një nga qeveria shqiptare dhe një nga “ankuesit” që përfshijnë organizatat mjedisore shqiptare “Eco Albania” dhe “PPNEA”, lidhur me zhvillimet dhe kërcënimet e mundshme të ekosistemit të lumit “Vjosa” dhe ndikimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Konventa e Bernës i ka kërkuar një vit më parë qeverisë shqiptare përmes një rekomandimi zyrtar, të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Konveta e Bernës ka nxitur autoritetet shqiptare të punojnë së bashku me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit për një studim të thelluar të ndikimit tek mjedisi.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Konventa për sesionin e 44 autoritete shqiptare pritet të raportojnë për masat e ndërmarra për të zbutur ndikimin e mundshëm të aeroporti mbi mjedisin.

Në raportin e Qeverisë së Shqipërisë, të cilin Zëri i Amerikës e ka parë, thuhet se “ndërtimi i Aeroportit të Vlorës është planifikuar me përpikëri për të minimizuar shkatërrimin e habitatit dhe vlerësimet e detajuara të Ndikimit në Mjedis (VNM) janë kryer përpara fillimit të projektit, duke identifikuar habitatet kritike dhe duke propozuar masa për të zbutur efektet negative”.

Ndërsa organizata Eco Albania në rolin e “ankuesit” në raport shpreh shqetësimin se “Aeroporti Ndërkombëtar në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë (tashmë i quajtur Nartë- Pishë-Poro) është në vazhdim dhe kompanitë po punojnë me ritëm të plotë, pavarësisht kërkesës së Konventës së Bernës për ndalimin e punimeve”.

Konventës pritet t`i paraqiten qëndrimet si nga autoritetet shqiptare dhe organizatat mjedisore shqiptare edhe lidhur me kërcënimet e supozuara të ekosistemit të Lumit Vjosa nga projekti i devijimit të ujit nga lumi Shushica (nëndegë e Vjosës) për furnizimin me ujë të bashkisë së Himarës.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga "Mabetex" e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, "Yda Group", e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2% i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Aeroporti i Vlorës
Aeroporti i Vlorës

Shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions” ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 100 milion dollarë. Gjatësia e pistës pritet të jetë deri në 3.2 kilometra dhe terminali i pasagjerëve do të ketë sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.

Dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në zonën ku po ndërtohet aeroporti dhe deklaroi se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sidomos për rajonin e jugut dhe infrastruktura është duke u zhvilluar me ritme të shpejta.

“Tani duhet punë natë e ditë që të arrijmë që sezoni i ardhshëm veror të përfshihet në aktivitetin e aeroportit dhe në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe pastaj me siguri shumë gjëra të tjera pozitive do të vijnë nga prania e aeroportit”, tha Kryeministri Rama.

Sipas autoriteteve shqiptare në prill të vit të ardhshëm mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit, i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut.

Sipas vlerësimit të organizatave mjedisore Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve.

Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit, për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut.

XS
SM
MD
LG