Kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi të mërkurën se ka nënshkruar vendimin për themelimin e një komisioni ndërministror për siç thuhet, vlerësimin dhe nisjen e procedurave e negociatave për hapjen e fabrikës për prodhimin e municioneve dhe laboratorit për projektimin e dronëve.
“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, me sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, tha kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë së tij.
Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha gjatë një konference për shtypin se tashmë autoritetet kanë marrë një raport fizibiliteti me prodhues shtetërorë nga ministria e Mbrojtjes së Turqisë, për një gjë të tillë.
“Sot më shumë se kurrë jo vetëm vendi ynë, të gjithë partnerët tanë dhe bota në tërësi ka nevojë për plotësimin e stoqeve të municioneve dhe armëve, por gjithashtu edhe për krijimin e rezervave duke pasur parasysh gjendjen aktuale të sigurisë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet bota në përgjithësi por edhe regjioni ynë”, tha ai.
Ministri Maqedonci tha se prodhimet do të bëhen sipas standardeve të NATO-s.
“Ne asnjë hap nuk e ndërmarrim pa u konsultuar me gjithë partnerët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë partneri ynë kryesor strategjik në zhvillimin e kapaciteteve dhe të mbrojtjes e sigurisë”, tha ministri Maqedonci.
Ai tha se fabrika e municionit është projekt i qeverisë dhe se nuk ndërhynë në planin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila të mërkurën shënoi ditën e saj.
Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar në janar të vitit 2009, ndërsa në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës.
Autoritetet thonë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s, që vazhdojnë të kenë mbi 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.