Në Shqipëri Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi sot revokimin e arrestit në shtëpi për ish kryeministrin Sali Berisha, duke i rikthyer në këtë mënyrë lirinë. Në një deklaratë të mbajtur më pas nga selia e partisë së tij, zoti Berisha foli për një fitore të opozitës, duke theksuar se tani është koha për veprim. Ai përsëriti sërish kërkesën për një qeveri teknike që do të duhet të organiojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.
Pas përpjekjesh të shumta gjyqësore, dhe ankimeve të përsëritura, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundshme ligjore, kërkesa e pak ditëve më pare, e avokatëve të zotit Berisha, për heqjen e masës së sigurisë, u pranua sot nga Gjykata e Posaçme.
Pak orë pas vendimit që i dha sërish atij lirinë, kryetari i forcës kryesore të opozitës, u prit, në oborrin e Partisë Demokratike, mes brohoritjeve dhe përqafimeve të qindra mbështetësve që kishin dalë për të pritur rikthimin e tij, pas 11 muajsh izolimi në shtëpi.
Fjalën që ai kishte përgatitur për ta mbajtur në një konferencë shtypi, zoti Berisha e lexoi përpara përkrahësve të vet të entuziasmuar. Vendimin e Gjykatës ai e cilësoi një fitore të opozitës, “por sot, është një ditë e mirë edhe për ata që nuk janë opozitarë. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sepse sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta. Sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta! Sot ka fituar Shqipëria!”
Zoti Berisha nuk ka ndryshuar qëndrimin për procesin e nisur ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme, të cilin e konsideron politik dhe të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë ai falenderoi publikisht gjyqtaren që mori vendimin e sotëm, duke u shprehur se ajo “nderoi moralin e ligjit dhe të Kushtetutës”.
Ndërsa kujtoi se gjatë këtyre muajve në izolim ai ka mbajtur cdo ditë nga një fjalim përpara përkrahësve që mblidheshin çdo mbrëmje poshtë banesës së tij, zoti Berisha tha se tani është koha për veprim dhe se lëvizja e ndërmarrë nga opozita, për mosbindje civile, do të vijojë. Duke iu drejtuar kryeministrit Rama ai deklaroi se “ke vetëm një rrugë. Qeverinë teknike! Dhe të shkojmë në zgjedhje të lira. Pse ke frikë nga vota e shqiptarëve? Pse ke frikë Edi Rama? Për të mbyllur, i them çdo shqiptari. Sot ishte një fitore, por kemi akoma shumë punë për të triumfuar”.
Zoti Berisha u vu në arrest shtëpie pasi kishte refuzuar më herët të zbatonte urdhërin e Gjykatës për t’u paraqitur dy herë në muaj, pranë një oficeri të policisë gjyqësore. Ish kryeministri e kishte konsideruar një masë të tillë, si antikushtetuese, duke këmbëngulur se më parë do të duhej të ishte kërkuar autorizimi i parlamentit. Por javën e shkuar Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Prokurorisë së Posaçme duke vlerësuar se masa detyrim paraqitje në policinë gjyqësore “nuk kufizon liritë e tij personale”, ndërsa për masën ndalim i daljes jashtë vendit theksoi se “kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt”.
Zoti Berisha dyshohet për korrupsion, në rastin e procedurave të privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Sipas Prokurorisë së Posaçme ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup pallatesh.
Në mënyrë të përsëritur, ish kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë, e cila sot reagoi ndaj lirimit të tij, duke paralajmëruar ankimim në Apel.
Pak javë më parë Prokuroria e Posaçme njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Në mesin e muajit dhjetor pritet që në seancë paraprake të merret vendimi për mënyrën se si do të vijojë ky proces.