Lidhje

Kosovë, takimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor


Kosovo/ diskriminimi racor
Kosovo/ diskriminimi racor

Përfaqësues ndërkombëtarë dhe të shoqatave nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që mbrojnë të drejtat e komuniteteve, thonë se integrimi i grupeve të margjinalizuara nuk është vetëm çështje e të drejtave të njeriut apo e përmbushjes së detyrimeve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, por zhbllokim i potencialit që këto grupe të kontribuojnë në një shoqëri më të fortë dhe më të begatë.

Këto komente u bënë në Prishtinë në kuadër të Takimit të Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Kosovë, takim rajonal kundër diskriminimit racor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Shoqatat për të drejtat e këtyre komuniteteve thonë se megjithëse kohëve të fundit janë shënuar disa përmirësime në përfshirje, megjithatë sfidë mbetet integrimi dhe drejtësia sociale.

“Në retrospektivë është punuar shumë në drejtim të fushës së drejtësisë sociale megjithatë fatkeqësisht sfidat janë aty dhe puna nuk duhet të ndalet por të shtohet e forcave dhe energjive të reja të përbashkëta për ta bërë drejtësinë sociale një realitet transformues në jetën e komuniteteve”, tha Pajtim Zeqiri, përfaqësues i konsorciumit të projektit “Drejtësi Sociale për Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se institucionet e vendit janë duke çuar përpara ndryshimet në legjislacionin që ka të bëjë me të drejtat e këtyre komuniteteve.

“Qeveria jonë gjithashtu po harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi, në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës, duke e trajtuar diskriminimin racor dhe antigjipsizmin. Ky është një proces gjithëpërfshirës, së bashku me shoqërinë civile”, tha ai.

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë e kryeministrisë, tha se me ligjin e ri për mbrojtje nga diskriminimi do të parashihen edhe masat e ndëshkimit nga institucionet e pavarura.

“Siç është gjyqësori, prokuroria dhe policia. Do të thotë të ketë më shumë efikasitet dhe të përqendrohemi te aspekti i ndëshkimit por edhe mekanizmave përkatëse institucionale që kanë me adresu çështjen e diskriminimit racor”, tha ai.

Zoti Hajredini tha se diskriminimi është gjithëpërfshirës dhe se ligjet që janë në fuqi nuk kanë gjetur zbatim, posaçërisht për të drejtat e komuniteteve që garanton 10 për qindëshin në punësim në institucione.

Irena Mitro nga ministria e Shëndetësisë në Shqipëri bëri thirrje për më shumë kujdes në terminologjitë që përdoren nga zyrtarët institucional.

“Pra nëse ne nuk jemi në rregull me termat që përdorim për racizmin si mund të jemi të mirë në politikat që bëjmë dhe si mund të jemi të mirë më legjislacion”, tha ajo.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher tha se anketat e fundit tregojnë se një pjesë e madhe e popullsisë së Kosovës ende mban qëndrim diskriminues ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Kjo është veçanërisht e dukshme në fusha të tilla si arsimi, punësimi dhe përfshirja sociale. Gratë rome janë të prekura nga martesat e hershme dhe të detyruara, shkalla e braktisjes së shkollës dhe dhuna në familje. Këto janë çështje sistemike që duhen trajtuar urgjentisht, por nuk mund të zgjidhen vetëm nga një grup apo një institucion”, tha ai duke nënvizuar se duhet transformim të kulturës për të ndaluar diskriminimin.

“Diskriminimi racor, paragjykimi dhe pabarazia nuk mund të çrrënjosen vetëm me ligj. Ai kërkon një proces afatgjatë të rritjes së ndërgjegjësimit, ndryshimit të qëndrimeve dhe promovimit të mirëkuptimit”, tha ai.

Përfaqësues të organizatave humanitare thonë se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim. Ata bëjnë thirrje për më shumë angazhim në përmirësimin e kushteve të jetesës për këto komunitete që janë integruar në sistemin politik të vendit, por të drejtat e tyre janë ende shpeshherë të cunguara.

XS
SM
MD
LG