Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi të martën ish Ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmila Shekerinska si Zëvendëse-Sekretare të Përgjithshme të aleancës ushtarake.
Ish ministrja Shekerinska është zyrtarja e parë nga Ballkani që mban një pozitë kaq të lartë në NATO.
“Ajo është një besimtare e vërtetë në NATO, e di se çfarë pune duhet bërë për t’iu bashkuar Aleancës dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë i saj”, tha Sekretari Rutte përmes një deklarate për media.
Zonja Shekerinska shërbeu si Zëvendëskryeministre për integrimin evropian dhe si Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut në periudhën kur vendi i saj po bënte përgatitje për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2020.
E lindur në Shkup, 52 vjeçarja Shekerinska kreu studimet e inxhinierisë në Maqedoni dhe e filloi karrierën e saj në Institutin për Shoqëri të Hapur në Shkup. Në vitin 2007, ajo ndoqi studimet e magjistraturës në fakultetin për studime juridike dhe diplomaci, ‘Fletcher’ të universitetit amerikan ‘Tufts’, sipas shënimeve të saj biografike.
Karrierën politike e filloi si anëtare e Partisë Social-Demokrate të Maqedonisë (SDSM) në vitin 1993, ndërkohë që dha dorëheqjen nga kjo parti pas humbjes elektorale në vitin 2008. Në qeverinë maqedonase ajo shërbeu në role të ndryshme të larta nën udhëheqjen e Kryeministrit Branko Crvenkovski.
Ajo u emërua Ministre e Mbrojtjes në vitin 2017 si pjesë e qeverisë së Kryeministrit Zoran Zaev.
Zonja Shekerinksa do ta marrë zyrtarisht detyrën deri në fund të këtij viti.