Ndeshja e futbollit në kuadër të Ligës së Kombeve midis Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, u ndërpre të premten pasi lojtarët e Kosovës braktisën fushën për shkak të thirrjeve pro Serbisë nga tifozët vendas.
Ndërsa ndeshja po shkonte drejt mbylljes pa gola, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 93-të pasi tifozët vendas brohoritën, "Serbia Serbia" gjatë një përplasjeje mes kapitenit të Kosovës Amir Rrahmani dhe sulmuesit rumun Denis Alibec.
Menaxheri i ekipit të Kosovës, Bajram Shala, tha se vendimi për braktisjen e ndeshjes u mor nga federata kosovare e futbollit, trajneri Franco Foda dhe vetë ekipi, pas “thirrjeve raciste” kundër Kosovës.
“Ne, si federatë, trajner dhe ekip, kemi vendosur të mos marrim pjesë në një ndeshje ku nuk respektohen vlerat themelore të UEFA-s. Jo vetëm që s’u respektuan vlerat, por kishte diskriminim racor, prandaj ne vendosëm që nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë për herë të dytë në stadiumin e njëjtë...”, tha zoti Shala në një konferencë shtypi në Bukuresht.
Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për shkak të thirrjeve pro Serbisë nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Kosovës.
UEFA tha të premten se do të jap më vonë informacione rreth zhvillimeve në Bukuresht dhe ka të ngjarë të hapë procedurë disiplinore, që mund t’i kushtojë Kosovës me humbje për shkak të refuzimit për të vazhduar lojën.