Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë njoftuan se të paktën 13 persona u vranë në dy sulme të ushtrisë izraelite në Gazë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, tha se një nga sulmet goditi një shkollë që shërbente si qendër strehimi në lagjen Tufah, në lindje të qytetit të Gazës, ku mbetën të vrarë të paktën 6 persona.
Autoritet njoftuan se një sulm tjetër ndaj një kampi në qytetin jugor Khan Younis la po ashtu të vrarë.
Ushtria izraelite tha se sulmet kishin si objektiv një militant të grupit islamik palestinez Xhihad.
Po ashtu, të shtunën Izraeli njoftoi dërgesën e parë humanitare në veri të Gazës, që kur nisi fushata e re ushtarake në këtë zonë, muajin e kaluar. Njoftimi vjen disa ditë përpara një afati të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, në bazë të cilit i kërkohet Izraelit që të përmirësojë shpërndarjen e ndihmave humanitare në të gjithë Gazën.
Ekspertët kanë paralajmëruar se ka shumë gjasa që së shpejti disa pjesë të Gazës veriore të përballen me uri.
Ofensiva e re e Izraelit është përqëndruar në kampin e refugjatëve Jabaliya, ku Izraeli thotë se Hamasi është rigrupuar. Ofensiva është shtritë edhe në rajonet Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, në veri të qytetit të Gazës.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në këto zona ndodhen dhjetra mijëra njerëz. Në fillim të kësaj jave, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se aktualisht në veri të qytetit nuk operojnë as ambulancat dhe as ekipet e urgjencës.
Që kur nisi lufta Izrael-Hamas, ushtria izraelite ka goditur disa shkolla dhe kampe, të mbushura me dhjetëra mijëra palestinezë që kanë lënë shtëpitë e tyre si pasojë e sulmeve izraelite apo urdhrave të evakuimit. Sipas OKB-së, 90 për qind e palestinezëve në Gazë janë zhvendosur, si pasojë e konfliktit.
Ushtria ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se vepron nga brenda infrastrukturës civile në Gazë, përfshirë shkollat, objektet e OKB-së dhe spitalet.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë ka shkaktuar më shumë se 43,000 të vrarë, thonë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë. Në këto të dhëna ata nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, por thonë se më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë. Lufta filloi pasi militantët palestinezë sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023. Sipas autoriteteve iztralite, gjatë sulmit militantët vranë rreth 1200 persona dhe rrëmbyen 250 të tjerë.