Lidhje

Orban në Gjeorgji pas zgjedhjeve të diskutueshme


Në këtë fotografi të postuar në platformën X më 28 tetor, 2024, Kryeministri hungarez Viktor Orban shihet në momentet e fillimit të vizitës së tij në Tbilisi, Gjeorgji
Në këtë fotografi të postuar në platformën X më 28 tetor, 2024, Kryeministri hungarez Viktor Orban shihet në momentet e fillimit të vizitës së tij në Tbilisi, Gjeorgji

TBILISI – Kryeministri hungarez Viktor Orban mbërriti në Gjeorgji të hënën pasi uroi partinë në pushtet për fitoren në zgjedhjet për të cilat opozita thotë se u karakterizuan nga shkelje zgjedhore.

Komisioni zgjedhor i Gjeorgjisë tha se partia “Ëndrra Gjeorgjiane” fitoi zgjedhjet e së shtunës me rreth 54 për qind të votave, por partitë e opozitës nuk e pranuan rezultatin dhe bënë thirrje për protesta.

Rezultatet e zgjedhjeve u dhanë një goditje gjeorgjianëve pro-perëndimorë, për të cilët vota ishte një zgjedhje mes alternativës së partisë në pushtet e cila ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe asaj të një opozite që synon integrimin e përshpejtuar në Evropë

Kryeministri Orban uroi të shtunën partinë “Ëndrra Gjeorgjiane” për fitoren e saj.

“Populli i Gjeorgjisë e di se çfarë është më e mira për vendin e tij dhe ai foli sot!” shkroi ai në platformën X.

Në vizitën e tij në Gjeorgji, zoti Orban u shoqërua nga ministrat hungarezë të financave, ekonomisë dhe punëve të jashtme.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto shkroi në Facebook të hënën se rezultati i zgjedhjeve në Gjeorgji ishte një “disfatë ” për liberalët.

Hungaria – e cila aktualisht ka presidencën e Këshillit Evropian – i ka zemëruar vendet e tjera anëtare të BE-së dhe NATO-s për shkak të lidhjeve të afërta me Rusinë megjithë agresionin rus ndaj Ukrainës që filloi në vitin 2022.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë bërë thirrje për hetim të plotë të parregullsive të pretenduara zgjedhore. Partia “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe komisioni zgjedhor thonë se zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta.

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili, e cila e quajti rezultatin një “operacion special rus”, akuzoi partinë në pushtet të hënën se po përdor taktika dhe propagandë të stilit rus dhe u bëri thirrje gjeorgjianëve që të marrin pjesë në protesta të hënën mbrëma.

Kremlini të hënën mohoi përfshirjen e Rusisë në zgjedhje, duke thënë se Perëndimi, jo Moska, po përpiqen ta destabilizojnë situatën.

Në muajin korrik, zoti Orban shkaktoi debat kur udhëtoi në Moskë dhe Pekin, në atë që qeveria hungareze e përshkroi si “mision për paqe” gjatë presidencës së Hungarisë, pa u bashkërenduar me partnerët e saj të BE-së.

XS
SM
MD
LG