Lidhje

Bullgari: Boyko Borissov me më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare


Partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministrit Boyko Borissov duket të jetë fituese e zgjedhjeve parlamentare të Bullgarisë, tha të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kur janë numëruar 98 për qind e votave rezultatet tregojnë se partia GERB mori 26.5 për qind, gati 12 për qind më shumë se blloku reformist properëndimor i udhëhequr nga partia Ne Vazhdojmë Ndryshimin.

Shtatë parti të tjera gjithashtu duket se kanë fituar vende në parlamentin prej 240 deputetësh.

Partia e ekstremit të djathtë, ultranacionaliste dhe populiste Vazrazhdane doli e treta me 13.5 për qind të votave. Duke përfituar nga ndjenjat pro-ruse në vendin ish-komunist, ajo kërkon që Bullgaria të heqë sanksionet kundër Rusisë, të ndalojë së ndihmuari Ukrainën dhe të mbajë një referendum për anëtarësimin e saj në NATO.

Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë, e cila përfaqëson tradicionalisht pakicën e madhe etnike turke të Bullgarisë, së fundmi u nda në dy fraksione rivale, njëri rreth themeluesit të partisë Ahmed Dogan dhe tjetri rreth afaristit të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe ish-manjatit të medias Delyan Peevski. Të dyja fraksionet hynë në parlament, i pari me 7 për qind dhe i dyti me 11 për qind të votave.

Vendet e mbetura do të ndahen midis katër grupeve të vogla populiste dhe pro-ruse, mes tyre edhe Partia Socialiste, trashëgimtare e Partisë Komuniste dikur të plotfuqishme.

Mund të duhen ditë përpara se të shpallen rezultatet përfundimtare. Nëse rezultatet konfirmohen, zoti Borissov do të marrë një mandat për të formuar qeverinë e tij të katërt.

Në komentin e tij të parë pas votimit, zoti Borissov e përshkroi fitoren e partisë së tij si "kategorike" dhe tha se është i gatshëm të bëjë kompromis për të formuar një koalicion me të gjitha partitë e tjera, përveç Vazrazhdanit.

Por, duket se zoti Borissov do të përballet me një luftë të vështirë për të krijuar një koalicion qeverisës. Analistët politikë thonë se rezultatet, të cilat nuk ndryshojnë dukshëm nga gjashtë palë zgjedhjet e mëparshme të mbajtura në tre vjet e gjysme, do të pasohen nga bisedime të vështira për formimin e koalicionit. Ata nuk përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve të reja.

XS
SM
MD
LG