Autoritetet në Kosovë thanë se dy persona janë arrestuar nën dyshimet për sulm ndaj kryetarit të komunës së Pejës Gazmend Muhaxhiri, në një incident ende të paqartë që nxiti reagime në shkallë të gjerë.
Prokuroria në qytetin e Pejës, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës tha se ka hapur hetime për veprat penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’.
Kryetari i komunës së Pejës Gazmend Muhaxhiri i cili është nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkroi në rrjetet sociale se “pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mire” ndërsa avokati i tij Dukagjin Kerveshi, tha dyshohet se sulmi lidhet me punën e kryetarit të komunës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e dënoi ashpër sulmin ndërsa kërkoi nga autoritetet rezultate të shpejta për këtë çështje dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë.
“Sulme të tilla nuk i shërbejnë demokracisë dhe janë nxitëse në këtë periudhë. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe veprime të tilla kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e udhëheqësve tanë”, thuhet në reagim.
Sulmi u dënua edhe nga udhëheqës institucionesh e partish politike duke kërkuar vënien e drejtësisë në vend.