Hakerat kinezë që ndërhynë në sistemin e kompanisë së telekomunikacionit Verizon, synuan të marrin të dhëna nga telefonat e përdorur nga kandidati republikan për president Donald Trump dhe kandidati i përzgjedhur prej tij për postin e Nën Presidentit, JD Vance, raporti Gazeta New York Times të premten, duke cituar burime që kanë dijeni mbi çështjen.
Gazeta tha se hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse janë marrë informacione dhe nëse po, për çfarë komunikimesh bëhet fjalë.
Fushata e kandidatit Trump u vu këtë javë në dijeni se ish-Presidenti Trump dhe JD Vance ishin në mesin e një sërë individësh brenda dhe jashtë qeverisë, numrat e telefonit të të cilëve ishin objektiv përmes infiltrimit në sistemet telefonike të kompanisë Verizon VZ.N, shkruan gazeta.
Ekipi i fushatës nuk konfirmoi se telefonat e zotit Trump dhe zotit Vance ishin në shënjestër.
Përmes një deklarate, zëdhënësi Steven Cheung kritikoi zonjën Harris duke thënë se ajo kishte inkurajuar Kinën dhe Iranin të sulmonin infrastrukturën amerikane me qëllim për të penguar rikthimin e Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Ambasada e Kinës në Uashington dhe fushata e kandidates Harris nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Fushata e republikanit Trump ishte objektiv i e një sulmi kibernetik më herët gjatë këtij viti. Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti padi ndaj tre anëtarëve të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit për sulmin duke i akuzuar ata për përpjekje për të prishur zgjedhjet e 5 nëntorit.
FBI-ja dhe Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës thanë të premten se po hetonin mbi qasjen e paautorizuar në infrastrukturën e telekomunikacionit nga njerëz të lidhur me Kinën. Deklarata e përbashkët e agjencive nuk përmendi se cilët ishin objektivët.
Kompania Verizon tha se ishte në dijeni të një përpjekjeje të sofistikuar për të shënjestruar kompanitë amerikane të telekomunikacionit dhe se po bashkëpunonte me forcat e rendit.