Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, u zotua të premten në Beograd se do të mbështes Serbinë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, ndërsa vendi ballkanik ecën në rrugën e ngushtë ndërmjet aspiratave evropiane dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Zonja Von der Leyen po qëndron në Serbi prej nga të shtunën do të udhëtojë në Kosovë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin, për t'i siguruar ata se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet përparësi e bllokut, posaçërisht pas agresionit rus në Ukrainë.
Vitin e kaluar Bashkimi Evropian miratoi një plan të rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekje për të ndihmuar përshpejtimin e procesit të integrimit. Zonja von der Leyen tha në një konferencë shtypi me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç se Serbisë do t’i takojnë 1.5 miliardë euro nga plani i rritjes ekonomike.
“Evropa mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Serbisë. Në kohë konfliktesh, luftërash dhe trazirash, të qenit anëtar i Bashkimit Evropian është një premtim paqeje e begatie dhe është një premtim që ne mund ta realizojmë së bashku. Serbia është tashmë një nga vendet më të përparuara në procesin e anëtarësimit. Ju keni treguar se mund të përmbushni standardet e nevojshme”, tha zonja von der Leyen.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se e ardhmja e vendit të tij është në Bashkimin Evropian, një synim që sipas tij nuk ka ndryshuar nëpër vite.
“I fitova zgjedhjet dy herë duke u thënë njerëzve se jemi në rrugën evropiane dhe duke u thënë njerëzve se jemi në marrëdhënie të mira me të tjerët... Nuk është e lehtë të jesh në këpucët tona për shkak të Kosovës dhe gjithçkaje tjetër, por ne do të bëjmë çmos për të përshpejtuar rrugën evropiane”, tha ai.
Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Serbia aleate tradicionale sllave e Rusisë, ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës edhe pse e ka dënuar me ngurrim agresionin rus në Ukrainë. Presidenti Vuçiç ka ritheksuar shume herë se vendosja e sanksioneve nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.
Presidentja von der Leyen tha se Beogradi zyrtar po hedh hapa drejt integrimeve evropiane ndërsa e vlerësoi faktin se presidenti serb priti disa udhëheqës të vendeve evropiane këtë javë, në vend që të shkonte në Rusi për të marrë pjesë në takimin e grupit ekonomik BRICS.
“Ne jemi bashkim demokratik i vendeve që anëtarësohen qëllimisht, vullnetarisht dhe është populli serb ai që do të vendosë për të ardhmen e tij dhe mendoj se veprimet, përparimi dhe projektet që po bëjmë së bashku flasin vetë se ne po punojmë për një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian”, tha ajo, duke mbështetur pohimet se Serbia mund të hap së shpejti një grup kapitujsh të negociatave për anëtarësim.
Zonja von der Leyen refuzoi ndërkaq të takohej me kryeministrin serb Milosh Vuçeviç për shkak të bisedimeve të tij të premten me një delegacion të nivelit të lartë ekonomik rus, i cili ishte në Beograd për të diskutuar thellimin e lidhjeve me Serbinë.
"Në këtë kontekst nuk kishte kuptim të zhvillohej takimi i planifikuar", i tha Zërit të Amerikës një zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, janë në në faza të ndryshme në aplikimet e tyre për anëtarësim. Aktualisht vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Përparimi i saj sikurse edhe i Serbisë në rrugën e integrimeve kushtëzohet edhe me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.