Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se vrasja nga Izraeli e udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar paraqet një ‘mundësi reale’ për të arritur një marrëveshje për të liruar pengjet që ende mbahen nga grupi militant në Rripin e Gazës. Ai i bëri këto komente pak para se të nisej nga Izraeli në Arabinë Saudite ku po vazhdon përpjekjet diplomatike për të arritur ndalimin e luftimeve në mes të Izraelit dhe grupeve militante në rajon që kanë mbështetjen e Iranit.
Sekretari Antony Blinken tha se Izraeli ka arritur një mori suksesesh në luftën kundër grupit militant palestinez Hamas, duke përfshirë degradimin e aftësive ushtarake të tij dhe vrasjen e drejtuesve kryesorë të grupit. Ai foli sot për shtypin në aeroportin e Tel Avivit, pak para se të nisej për në Arabinë Saudite.
“Tani është koha për t'i kthyer ato arritje në një sukses strategjik të qëndrueshëm. Kanë mbetur dy gjëra për të bërë, lirimin e pengjeve dhe t'i jepet fund luftës duke pasur një vizion të qartë se çfarë duhet të ndodhë më pas. Për këtë kemi punuar gjatë vizitës në Izrael dhe do të vazhdojmë të punojmë gjatë gjithë këtij udhëtimi”, tha Sekretari Blinken.
Planet për periudhën e pas luftës në Gazë, duke përfshirë çështje si qeverisja, siguria, rindërtimi dhe çfarë mund të bëjë komuniteti ndërkombëtar për të ndihmuar palestinezët, do të jenë tema e diskutimeve të Sekretarit Blinken me partnerët arabë në ditët në vijim.
Me qëndrimin e Sekretarit Blinken se janë krijuar ‘mundësi reale’ për të arritur paqe në Lindjen e Mesme u pajtua edhe Presidenti i Izraelit Isaac Herzog, i cili u takua me diplomatin amerikan të martën në Tel Aviv.
“Ne e dimë se tani, pas vrasjes së Sinwarit, ka një mundësi unike për të bërë përpjekje të posaçme për të liruar të gjithë pengjet”, tha Presidenti Herzog.
Në Riad, Sekretari Blinken u takua me princin e kurorës Mohammed Bin Salman dhe bisedoi në telefon me ministrin e jashtëm të Jordanisë Ayman Safadi, lidhur me lirimin e pengjeve izraelite dhe përfundimin e luftërave në rajon, sipas Departamentit të Shtetit.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, ofensivat ushtarake izraelite kanë vazhduar në Gazë dhe në Liban. Izraeli ka intensifikuar sulmet në pjesën veriore të territorit palestinez që nga vrasja e drejtuesit kryesor të Hamasit, javën e kaluar. Autoritetet shëndetësore njoftuan për të paktën 20 të vrarë në sulmet e fundit izraelite.
Izraeli gjithashtu ka kryer sulme ajrore në një qytet port me rëndësi historike të Libanit, qyteti Tyre, që është nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Departamenti i Shtetit tha se përpjekjet diplomatike për paqe të Sekretarit Blinken do vazhdojnë të enjten me vizitën në Katar. Një ditë më pas ai shkon në Londër ku do të takohet me homologët arabë.