Kryeministri i Britanisë Keir Starmer minimizoi të mërkurën akuzat e bëra nga ekipi i kandidatit presidencial të Partisë Republikane, Donald Trump për "ndërhyrje hapur" nga Partia e tij Laburiste në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ishte normale që vullnetarët e saj të bënin fushatë.
Kryeministri Starmer gjithashtu këmbënguli se ai ka "një marrëdhënie të mirë" me zotin Trump, pasi e kishte takuar atë për bisedime muajin e kaluar.
Ekipi ligjor i ish-presidentit Trump paraqiti një ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, duke pretenduar se "Partia Laburiste ka dhënë kontribute financiare dhe fushata e demokrates Harris ka marrë kontribute të paligjshme nga shtetasit e huaj".
Deklarata citonte raportet e medias se zyrtarë laburistë, përfshirë shefin e ri të personelit të kryeministrit britanik, Morgan McSweeney, udhëtuan në Shtetet e Bashkuara për të këshilluar fushatën e zonjës Harris.
Ekipi i fushatës së zotit Trump dërgoi gjithashtu një postim të fshirë në LinkedIn nga drejtoresha e operacioneve e Partisë Laburiste, Sofia Patel, në cilin u bëhej thirrje vullnetarëve të shkonin në Karolinën e Veriut, duke thënë se "ne do të kujdesemi për koston e strehimit".
Shtetasit e huaj lejohen të bëjnë punë vullnetare në zgjedhjet amerikane, por nuk mund të kompensohen për punën e tyre.
Kryeministri Starmer u tha mediave gjatë një udhëtimi në ishullin e Samoas në Paqësor, se partia e tij nuk kishte bërë asnjë shkelje dhe se vullnetarët i kishin paguar vetë shpenzimet.
"Partia Laburiste ka vullnetarë, të cilët angazhohen pothuajse në çdo zgjedhje", tha ai.
"Ata po e bëjnë atë në kohën e tyre të lirë, ata po e bëjnë atë si vullnetarë, ata po qëndrojnë me vullnetarë të tjerë atje."
"Ata e kanë bërë ketë në zgjedhjet e mëparshme, po e bëjnë këtë në këto zgjedhje dhe kjo është vërtetë një çështje shumë e qartë."
Ai mohoi gjithashtu sugjerimet se kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm të Britanisë nëse kandidati i partisë republikane Donald Trump fiton në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Zoti Starmer tha se ai kishte "krijuar një marrëdhënie të mirë" me ish-presidentin, pasi e kishte takuar atë muajin e kaluar për një darkë dy-orëshe në rezidencën “Trump Tower” në Nju Jork.
Konflikti mbi këtë çështje u thellua pasi mbështetësi i zotit Trump, miliarderi Elon Musk, tha përmes një postimi në rrjetin e tij social X të martën se "kjo është luftë" pasi dokumentet e rrjedhura nga grupi i fushatës Qendra Kundër Urrejtjes Dixhitale dukej se tregonin se një nga objektivat e saj ishte "shkatërrimi i Twitter-it të zotit Musk"’. Platforma X më parë mbante emrin Twitter.
Morgan McSweeney, anëtar i partisë laburiste dhe shef i personelit të kryeministrit britanik, ka qenë drejtor i Qendrës Kundër Urrejtjes Dixhitale.