Përpjekjet e kundërshtarëve të SHBA-së për të krijuar përçarje mes amerikanëve dhe për të mbjellë mosbesim në rritje tek zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara kanë filluar të intensifikohen, sipas zyrtarëve të lartë të zbulimit amerikan të cilët paralajmërojnë se disa vende duket se po rrisin masat për të nxitur dhunë të lidhur me zgjedhjet.
Vlerësimi i fundit i bërë publik të martën nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, vjen vetëm dy javë përpara se votuesit amerikanë të shkojnë në qendrat e votimit më 5 nëntor për të zgjedhur një president të ri dhe për të votuar për një sërë garash dhe nismash mbarëkombëtare dhe lokale.
“Aktorët e huaj – veçanërisht Rusia, Irani dhe Kina – mbeten të vendosur të nxisin përçarje mes amerikanëve dhe për të minuar besimin e amerikanëve në sistemin demokratik të SHBA-së, në përputhje me atë që ata perceptojnë se është në interesin e tyre”, thuhet në vlerësim.
Por vlerësimi paralajmëron se agjencitë e zbulimit amerikan janë "gjithnjë e më shumë të sigurta" se Rusia po fillon të angazhohet në plane "që synojnë nxitjen e dhunës". Po ashtu vlerësohet se edhe Irani "mund të përpiqet të nxisë dhunë".
Shqetësimet për fazat pas mbylljes së votimit
Me shqetësim të veçantë po shihet ai që duket të jetë një fokus në rritje tek orët, ditët dhe javët pas mbylljes së votimit, kur zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe lokale fillojnë të numërojnë dhe certifikojnë rezultatet.
Kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara "ndoshta me shpejtësi do të krijojnë narrativa të rreme ose do të përforcojnë përmbajtje që ata mendojnë se do të krijojë konfuzion rreth zgjedhjeve, siç është postimi i pretendimeve për parregullsi zgjedhore," tha një zyrtar i zbulimit amerikan, duke informuar gazetarët në kushtet e anonimitetit për të diskutuar vlerësimin me detaje shtesë.
Zyrtari tha se Rusia, Irani dhe Kina "mund të perceptojnë një dritare mundësie për të nxitur dezinformimin ose për të nxitur ose amplifikuar protestat dhe kërcënimet" duke filluar nga momenti i mbylljes së qendrave të votimit e deri më 6 janar, kur rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen nga një seancë e përbashkët e Kongresit.
"Protestat e dhunshme të nxitura ose të amplifikuara nga jashtë, dhuna ose kërcënimet fizike ndaj punonjësve zgjedhorë ose zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë mund të sfidojnë aftësinë e zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë për të kryer elemente të procesit të certifikimit dhe Kolegjit Zgjedhor," tha zyrtari. "Veçanërisht nëse parandalojnë qasjen fizike në objekte ose vende të caktuara."
Zyrtarët e zbulimit amerikan kanë paralajmëruar më parë se Rusia dhe veçanërisht Irani, kanë qenë veçanërisht aktivë, duke ndërmarrë një sërë operacionesh ndikimi që kanë në shënjestër votuesit amerikanë, me mundësi të madhe që këto përpjekje të shtrihen përtej zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Rusia, thanë ata, ka bërë përpjekje për të shtuar shanset e ish-presidentit dhe kandidatit aktual republikan Donald Trump, ndërsa Irani ka punuar për të dëmtuar rizgjedhjen e zotit Trump dhe për të nxitur fushatën e Nënpresidentes Kamala Harris, kandidate demokrate për presidente.
Kina, sipas zyrtarëve të zbulimit amerikan, deri tani ka qëndruar jashtë garës presidenciale, duke i përqendruar përpjekjet e saj te kandidatët për Kongresin dhe ata shtetërorë dhe lokalë që perceptohet se po promovojnë politika të dëmshme për interesat e Pekinit, përfshirë ato që shprehin mbështetje për Tajvanin.
Zyrtarët thanë të martën se informacione të reja të zbulimit kanë ngritur shqetësime se Moska në mënyrë të veçantë do të përpiqet të nxisë dhunën sapo të mbyllen qendrat e votimit.
“Ne parashikojmë që Rusia të jetë më agresive në këtë periudhë nëse Nënpresidentja [Kamala Harris] fiton zgjedhjet”, tha zyrtari i zbulimit.
“Rusia do të preferonte që ish-presidenti të fitonte dhe ata do të përpiqeshin të minonin në mënyrë më agresive presidencën e presidentes së zgjedhur (nëse do të ishte zonja Harris”.
Rusia, Kina dhe Irani kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat e mëparshme të SHBA-së për ndërhyrje në zgjedhje. Rusia dhe Irani nuk u janë përgjigjur ende kërkesave të Zërit të Amerikës për koment, por Kina të martën kundërshtoi përsëri gjetjet e fundit të zbulimit amerikan.
“Zgjedhjet presidenciale janë çështje e brendshme e vetë Shteteve të Bashkuara,” i tha Zërit të Amerikës në një email Liu Pengyu, zëdhënësi i Ambasadës Kineze në Uashington. "Kina nuk ka asnjë synim të tillë dhe nuk do të ndërhyjë."
Megjithatë zyrtarët e zbulimit amerikan, theksojnë ata që ata i përshkruajnë si shembuj në rritje të qëllimeve keqdashëse, veçanërisht nga Rusia dhe Irani.
Operacione me ndikim
Zyrtarët përmendën një rast kur aktorët e lidhur me Rusinë ishin përgjegjës për një postim në platformën e mediave sociale X në fillim të këtij muaji që përmbante akuza të rreme kundër kandidatit demokrat për nënpresident, Tim Walz.
“Ka disa tregues manipulimi në këtë cikël zgjedhjesh që përputhen me shenjat e ndikimit, përpjekjet dhe taktikat e aktorëve të ndikimit rus”, tha zyrtari i zbulimit amerikan.
Në një rast tjetër, zyrtarët amerikanë thanë se një njësi e inteligjencës ruse u përpoq të rekrutonte një person që ata vlerësojnë se ka të ngjarë të jetë një amerikan që nuk ishte në dijeni të këtyre përpjekjeve, për të organizuar protesta.
Ata gjithashtu përmendin veprimet e ndërmarra vetëm muajin e kaluar nga agjenci të shumta amerikane për të luftuar një sërë përpjekjesh të ndikimit rus, përfshirë përdorimin e faqeve të rreme të internetit dhe ngritjen e kompanive guaska për të futur 10 milionë dollarë në një kompani mediatike amerikane për të nxitur propagandën pro-ruse.
Po ashtu muajin e kaluar, SHBA ofroi shpërblime për identifikimin dhe ngriti akuza penale kundër tre hakerëve iranianë, të gjithë të akuzuar se synonin të minonin fushatën e rizgjedhjes së zotit Trump.
"Edhe nëse këto fushata dezinformuese nuk synojnë domosdoshmërisht dhunën, taktikat e përdorura për të minuar besimin në institucionet demokratike mund të çojnë në dhunë", tha një zyrtar i lartë i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës së Shteteve të Bashkuara.
Ndërprerje e pritshme e shërbimeve
Dhe megjithëse zyrtarët amerikanë shprehin besimin se ekzistojnë masa mbrojtëse për të parandaluar sulmet e kundërshtarëve të SHBA-së ose hakerimi i sistemeve të përdorura për regjistrimin dhe numërimin e votave, ekziston shqetësimi se ata mund të vënë në shënjestër infrastrukturën tjetër të SHBA-së në përpjekje për të nxitur panik ose dhunë.
"Kjo është një mundësi reale," tha zyrtari i CISA-s.“Ne do të shohim raste të ndërprerjes së energjisë elektrike qendra votimi”, tha zyrtari. “Mund të shohim ndikim në sisteme transporti. Do të shohim një sulm të mundshëm kibernetik kundër një zyre zgjedhore lokale.”
Zyrtarët e shteteve thonë se janë të përgatitur. “Të gjitha shtetet e konsiderojnë infrastrukturën e tyre zgjedhore dhe sistemet e TI-së [teknologjisë së informacionit] një objektiv të mundshëm për kërcënime,” tha Steve Simon, sekretari i shtetit i Minesotës, presidenti i Shoqatës Kombëtare të Sekretarëve të Shtetit (NASS), gjatë një telefonate me gazetarët të hënën.
“Zyrtarët kryesorë të zgjedhjeve në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë punuar pa u lodhur dhe vazhdimisht për të zbutur rreziqet ndaj sistemeve dhe proceseve tona zgjedhore,” tha Simon.