Një studim i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut i publikuar të marten nxjerr në pah dallimet ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe serbë të Kosovës në qëndrimet e tyre mbi luftën dhe krimet e kryera gjatë saj. Ndërsa mbi 73 për qind e të anketuarve shqiptarë mbështesin ndjekjen penale të krimeve të luftës, vetëm 48 për qind e të anketuarve serbë mbështesin këtë proces.
“Pikërisht mënyra se si janë informuar, shumica janë informuar nga familja, ka ndikuar pastaj edhe në mënyrën se si e kuptojnë dhe këtu e vëren dallimin më të madh ndërmjet grupeve etnike. Pra mes të rinjve shqiptarë dhe serbë të Kosovës ka shumë dallime sepse burimi i informatave shpesh herë është i ndryshëm e kjo është pasqyruar edhe në shumë përgjigje të tjera që lidhen me drejtësinë kalimtare”, tha autori i studimit, Bekim Baliqi.
Sipas raportit shumica e të rinjve, mbi 89 për qind e shqiptarëve dhe mbi 70 për qind e serbëve, i kanë marrë informacionet kryesore mbi luftën nga rrëfimet në familje.
Dallimet në qëndrime, thuhet në raport, janë edhe më të thella rreth lidhshmërisë midis ndjekjes penale të krimeve të luftës me arritjen e paqes. 74 për qind e të anketuarve shqiptarë besojnë se ndjekja penale e këtyre krimeve mund t’i kontribuojë paqes, ndërsa vetëm 29 për qind e të anketuarve serbë e besojnë një gjë të tillë.
Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut tha se trashëgimia e luftës ende ndikon ndjeshëm në gjeneratat e reja.
“Të dhënat nga ky studim konfirmojnë supozimin tonë kryesor se kujtimet e ngjarjeve të luftës kanë një ndikim të rëndësishëm në qëndrimet e të rinjve dhe të rejave dhe se ka një lidhje të fortë ndërmjet trajtimit të së kaluarës dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike. Këto gjetje na bëjnë të ditur nevojën për veprime që lidhen me drejtësinë tranzicionale”, tha ajo.
Raporti rekomandon hartimin e programeve arsimore më gjithëpërfshirëse në shkolla dhe universitete për të siguruar që të rinjtë të kenë njohuri më të mira rreth ngjarjeve të luftës.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. 25 vjet pas saj veprimtarët humanitarë thonë se vetëm mbi 70 persona janë dënuar për krimet e luftës së viteve 1998 – 1999.