Lidhje

Vuçiç nuk do të shkojë në takimin e grupit BRICS në Rusi - dërgon katër ministra, dy nga të cilët të sanksionuar nga SHBA


Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të hënën në mbrëmje se nuk do të shkojë në Rusi për të marrë pjesë në takimin e grupit ekonomik BRICS, i cili përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, që do të mbahet në Kazan nga 22 deri më 24 tetor.

Por, th ai, atje do të dërgojë një delegacion prej katër ministrash.

Në mesin e tyre janë Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviç, që të dy nën sanksionet amerikane, mes tjerash për shkak të lidhjeve korruptive me Rusinë.

Presidenti serb e bëri publike vendimin të mos marrë pjesë në takimin e grupit BRICS, një ditë pas një bisede telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, të cilin e siguroi se vendi i tij nuk do t’i vendos sanksione Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Ai tha se i ka treguar udhëheqësit rusë se ka takime të rëndësishme gjatë këtyre ditëve.

“Unë e respektoj Putinin. I thashë gjithashtu që edhe nëse nuk do të kisha takime me zyrtarë të tjerë, do ta kisha të vështirë të vija. Besoj se ai e kupton Serbinë, e cila është e vetmja që nuk i është bashkuar asnjë deklarate kundër Rusisë”, tha Presidenti serb në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë.

Të dielën ai e falënderoi Rusinë “për sigurimin e sasive të mjaftueshme të gazit për Serbinë me çmime të favorshme”.

Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, por kohët e fundit ka rënë dakord të fillojë të kërkojë burime tjera furnizimi.

Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Serbia aleate tradicionale sllave e Rusisë, ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës edhe pse e ka dënuar me ngurrim agresionin rus. Presidenti Vuçiç ka ritheksuar shume herë se vendosja e sanksioneve nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.

Ai tha se i shprehu “mirënjohje të jashtëzakonshme” udhëheqësit rus “për mbështetjen e përpjekjeve tona në Kombet e Bashkuara për çështjet e rezolutave të ndryshme dhe veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme për tërësinë tokësore të Republikës së Serbisë”.

Rusia mbështet pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Perëndimit.

XS
SM
MD
LG