Lidhje

Zgjedhjet në republikën ish-sovjetike të Gjeorgjisë dhe ndikimi rus


Ndërsa Gjeorgjia përgatitet për zgjedhjet vendimtare të 26 tetorit, shihet qartë ndikimi i Rusisë tek vota. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Tbilisi, ish-republika sovjetike po përpiqet që të krijojë një të ardhme të re në linjë me vlerat perëndimore ndërsa përpiqet të ndahet nga e kaluara e saj e trazuar.

Në një ditë të kthjellët, nga kryeqyteti gjeorgjian i Tbilisit mund të shohësh kurorën e dëborës që ka mbuluar majat e Osetisë Jugore.

Që nga viti 1992, Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Dy rajonet u shkëputën nga Gjeorgjia gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, konflikte etnike brutale të nxitura nga Rusia.

Ndërsa gjeorgjianët përgatiten të votojnë në zgjedhjet vendimtare të 26 tetorit, partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” është zotuar të përmirësojë marrëdhëniet me rajonet e shkëputura.

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, foli për këtë çështje muajin e kaluar gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. .

“Një ditë, me fëmijët tanë, ne mund të jetojmë së bashku në një Gjeorgji të lumtur, të bashkuar dhe të zhvilluar”.

Forcat ruse ndërhynë në Gjeorgji në vitin 2008, duke njohur zyrtarisht si shtete të pavarura Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Trupat ruse nuk u larguan kurrë.

Miliarderi Bidzina Ivanishvili, themelues i partisë “Ëndrra Gjeorgjiane” sugjeroi së fundmi që Gjeorgjia të kërkonte falje për rolin e saj në konflikte, duke shkaktuar zemërim të gjerë. Kritikët thonë se partia në pushtet është afruar shumë me Rusinë.

Zëri i Amerikës bisedoi me analistin politik, Ghia Nodia, të Universitetit Shtetëror Ilia të Gjeorgjisë.

“Në këtë rast, reagimi rus nuk ishte i favorshëm. Moska deklaroi se Abkhazia dhe Osetia e Jugut janë shtete të pavarura dhe ribashkimi me Gjeorgjinë nuk do të ndodhë”.

Ndikimi i Moskës shtrihet thellë në historinë e Gjeorgjisë. Girogi Kandelaki, me “Laboratorin e Hulumtimeve të së Kaluarës Sovjetike”, thotë se partia “Ëndrra Gjeorgjiane” me ndihmën e Moskës po përpiqet të rishkruajë historinë e diktatorit sovjetik Josif Stalin, i cili lindi në Gjeorgji.

“Shumë sondazhe në Gjeorgji tregojnë për rritjen e popullaritetit të Stalinit. Kjo qasje e cilëson qytetërimin perëndimor si kërcënim, për shembull përpjekjet që ta na bëjnë të gjithëve homoseksualë. Ata e portretizojnë botën ruse duke vënë theksin tek feja, si shpëtimtare e shpirtrave tanë. Në këtë projekt, Stalini luan një rol vendimtar si ikonë e patriotizmit gjeorgjian”.

Partia “Ëndrra Gjeorgjiane” e kundërshton këtë karakterizim. Por zgjedhjet e ardhshme shihen gjerësisht si një referendum për të ardhmen e vendit drejt Perëndimit apo drejt Rusisë.

Bashkimi Evropian i ka ngrirë bisedimet e pranimit me Gjeorgjinë, duke përmendur shqetësimet për hapa prapa të demokracisë në atë vend. BE-ja e akuzon partinë “Ëndrra Gjeorgjiane” për një kultivim të nostalgjisë sovjetike ndërsa kërkon të afrohet më shumë me Rusinë.

Dikur kjo ndërtesë ishte strehë e policisë sekrete sovjetike, që i parapriu KGB-së, përgjegjëse për vrasjen, torturimin dhe zhdukjen e mijëra gjeorgjianëve.

Kritikët thonë se qeveria po kufizon qasjen tek të dhënat mbi mizoritë e sundimit sovjetik si pjesë e përpjekjeve për t’u afruar më shumë me Rusinë.

Partia në pushtet i hedh poshtë këto pretendime. “Ëndrra Gjeorgjiane” këmbëngul se nuk është pro-ruse dhe dëshiron që vendi të anëtarësohet në BE. Sondazhet tregojnë se kjo parti do t’i humbasë zgjedhjet.

Zëri i Amerikës bisedoi me kryeredaktorin e medias në internet, ‘Realpolitika’, Aka Zarqua.

“Është shembur strategjia e tyre që ndoqën për vite me radhë, duke pretenduar se mbështesin BE-në dhe Perëndimin, ndërsa hidhnin hapa antiperëndimorë”.

Kremlini ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet gjeorgjiane, duke akuzuar vendet perëndimore për “përpjekje flagrante” për të ndikuar tek rezultati.

XS
SM
MD
LG